Kjo është gjendja sot e vendpunishtes ku po ndërtohet ura e re e Ibrit që u përfshi nga uji gjatë natës - Gazeta Express
string(103) "kjo-eshte-gjendja-sot-e-vendpunishtes-ku-po-ndertohet-ura-e-re-e-ibrit-qe-u-perfshi-nga-uji-gjate-nates"

Lajme

Gazeta Express

01/11/2025 10:17

Kjo është gjendja sot e vendpunishtes ku po ndërtohet ura e re e Ibrit që u përfshi nga uji gjatë natës

Lajme

Gazeta Express

01/11/2025 10:17

Uji përfshiu punishten ku po ndërtohet ura e re e Ibrit në Mitrovicë gjatë natës së kaluar.

Ende s’është e qartë se cili ishte shkaku që uji vërshoi dhe dëmtoi pajisjet e materialet që ishin duke u përdorur për ndërtimin e urës.

Në pamjet e publikuara sot në mëngjes nga mediumi lokal “Jepi Zë” shihet gjendja e vendpunishtes dhe dëmet që ka shkaktuar uji aty.

Pronari i kompanisë ndërtuese, Jahir Nimani, ka akuzuar se brana është lëshuar qëllimshëm nga Ujmani për të dëmtuar punimet derisa u ankua se shumë pajisje e materiale janë dëmtuar nga uji.

Ai tha se për këtë rast në vendngjarje ka dalë edhe Policia e Kosovës, e cila ende s’është deklaruar zyrtarisht.

Gazeta Express ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka udhëzuar që pyetjet të dërgohen te Ndërmarrja Hidroekonomike Ibër-Lepenc.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe me kryeshefin ekzekutiv të ndërmarrjes, Faruk Mujka, por s’ka qenë i qasshëm.

Ndërkaq, njoftimi i vetëm nga Ibër Lepenci deri më tani është ai i dhënë për ujësjellësin e Mitrovicës ku njofton se sot do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor “Ibër-Lepenc” që për pasojë mund të ketë mungesë të ujit ne zonat më të larta të qytetit dhe në fshatrat përreth./Express/