Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë se duhet të konsumojmë më shumë proteina – këshillë që ka bërë shumë njerëz, sidomos meshkuj, të anashkalojnë pothuajse çdo lloj tjetër ushqimi. Por ekspertët thonë se ky mesazh jo vetëm që është i gabuar, por edhe i rrezikshëm.
Vetëm gjatë vitit 2024, rreth gjysma e të rriturve kanë rritur marrjen e proteinave, ndërsa raftet e supermarketeve janë mbushur me produkte të etiketuar si “me proteina shtesë”.
Sipas Fortune Business Insights, tregu global i çokollatave dhe bareve proteinike pritet të arrijë në 5.6 miliardë paund deri në vitin 2029.
Nga ana tjetër, rrjetet sociale janë plot me influencues – nga Joe Rogan te Bear Grylls – që këshillojnë rritjen e proteinës për të gjithë, nga gratë në menopauzë deri te të apasionuarit pas fitnesit.
Megjithatë, sipas dietologut të regjistruar Rob Hobson, autor i librit Unprocess Your Life, proteina nuk funksionon në boshllëk: edhe karbohidratet dhe yndyrnat janë po aq të rëndësishme.

“Ndërsa proteina është jetike për shëndetin, forcën dhe ruajtjen e muskujve me kalimin e viteve, realiteti është se shumica e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar tashmë konsumojnë më shumë se mjaft,” – thotë Hobson.
Mesatarisht, të rriturit marrin rreth 1.2 gram proteina për kilogram peshë trupore në ditë – shumë mbi udhëzimin zyrtar prej 0.75 g/kg/d. Kjo do të thotë se meshkujt kanë nevojë për rreth 60 g proteina në ditë dhe femrat për rreth 54 g, ndërsa pas moshës 50 vjeç këshillohet afërsisht 1 g/kg, pasi përthithja e proteinës bie me moshën.
Kur teprica kthehet në rrezik
Proteina është një nga tre makronutrientët kryesorë së bashku me karbohidratet dhe yndyrnat. Ajo ndodhet në çdo qelizë të trupit dhe është thelbësore për indet, muskujt, kockat, flokët dhe për enzimat që mbajnë gjallë proceset biokimike.
Por teprica e proteinave mund të sjellë pasoja serioze shëndetësore:
Gurë në veshka dhe dështim të hershëm renal (veshkat lodhen duke filtruar mbetjet nga tretja e proteinave).
Sëmundje kardiovaskulare.
Rritje të rrezikut për disa lloje kanceri.
Një studim i Universitetit të Kalifornisë Jugore në vitin 2014, me mbi 6 mijë persona mbi 50 vjeç, tregoi se ata me dietë të pasur me proteina kishin katërfish më shumë gjasa të vdisnin nga kanceri krahasuar me ata që konsumonin më pak.
Proteina, menopauza dhe kanceri
Gjatë menopauzës, gratë përballen me humbje të masës muskulore dhe rrezik më të madh për osteoporozë. Por ekspertët paralajmërojnë: shtimi i tepërt i proteinës nuk është zgjidhja.
Dr. Federica Amati thekson se konsumimi i tepërt i proteinës shtazore në këtë periudhë mund të rrisë rrezikun e kancerit. Kjo lidhet me stimulimin e tepruar të një rruge qelizore që nxit rritjen – dhe kanceri nuk është gjë tjetër veçse përhapja e pakontrolluar e qelizave.

Profesori Charles Swanton nga “Cancer Research UK” ka theksuar se rreziku i kancerit të zorrës së trashë është shumë më i lartë te personat që konsumojnë mish të kuq ose të përpunuar çdo ditë.
Një tjetër shqetësim është varësia nga pluhurat proteinikë, të cilët mund të prishin mikrobiomën e zorrëve, duke nxitur inflamacion dhe prodhim të toksinave – faktorë të lidhur me rritjen e rrezikut për kancer të zorrës.
Çfarë duhet të dimë?
Ekspertët bien dakord se proteina është e pazëvendësueshme, por sasia e tepërt nuk sjell përfitime shtesë.
Përkundrazi, mund të dëmtojë trupin dhe të ulë marrjen e lëndëve ushqyese të tjera thelbësore si fibra, vitamina dhe minerale.
Këshilla kryesore është ekuilibri: një dietë e shëndetshme duhet të përfshijë proteina, por gjithashtu edhe karbohidrate komplekse, yndyrna të shëndetshme, fruta dhe perime. /GazetaExpress/