Një jetë tepër e ngarkuar dhe e mbushur me angazhime tashmë po shihet si një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e demencës – krahas duhanpirjes, nivelit të lartë të sheqerit në gjak dhe ndotjes së ajrit.
Një raport i ri i publikuar në revistën mjekësore The Lancet thekson se ajo që quhet “pabarazi kohore” – pra fakti që njerëzit nga shtresa më të ulëta sociale nuk kanë të njëjtën sasi kohe të lirë si ata me të ardhura më të larta – është një faktor i nënvlerësuar kur bëhet fjalë për parandalimin e kësaj sëmundjeje që dëmton kujtesën.
Dementia është shkaktari kryesor i vdekjeve në Britani, ku rreth 944 mijë persona jetojnë me këtë gjendje. Në SHBA, numri i të prekurve arrin në rreth 7 milionë. Forma më e përhapur e saj është Sëmundja e Alzheimerit, që prek rreth 60% të pacientëve.
Edhe pse nuk ka kurë për demencën, diagnostikimi i hershëm mundëson krijimin e planeve të personalizuara të trajtimit dhe përdorimin e barnave apo terapive që ngadalësojnë zhvillimin e saj.
Kur koha bëhet armiku i trurit
Sipas studiuesve, jo të gjithë kanë mundësi të mjaftueshme për t’u kujdesur për shëndetin e tyre – qoftë për gjumë të rregullt, aktivitet fizik apo kohë për relaksim. Kjo krijon një fushë të pabarabartë, ku disa kanë më shumë mundësi të mbrojnë trurin e tyre nga rreziku i demencës, ndërsa të tjerët jo.
“Koha është një determinant i nënvlerësuar i shëndetit të trurit dhe mund të jetë po aq i rëndësishëm sa arsimi apo të ardhurat,” shkruajnë autorët e studimit.
Ata paralajmërojnë se ritmi i përshpejtuar i jetës moderne, puna me orare të gjata apo të pazakonta, mungesa e gjumit cilësor dhe përdorimi i tepërt i ekraneve po ndikojnë në ritmet biologjike të trupit (cirkadiane), duke çuar në stres kronik, lodhje mendore dhe mbingarkesë kognitive – faktorë që dëmtojnë kujtesën dhe shëndetin e trurit.

Grupet më të rrezikuara janë kujdestarët familjarë, punëtorët me paga të ulëta, sidomos ata me turne nate, si dhe komunitetet e margjinalizuara.
Çfarë mund të bëhet?
Sipas Shoqatës së Alzheimerit, rreth 40% e rasteve të demencës mund të parandalohen nëse njerëzit marrin masa të hershme. Disa mënyra për të mbajtur trurin aktiv dhe të shëndetshëm përfshijnë:
Mësimi i aftësive të reja ose i gjuhëve, si dhe lojërat mendore (puzzle, sudoku etj.)
Ruajtja e jetës sociale aktive
Aktiviteti fizik i përditshëm
Një dietë e shëndetshme e pasur me antioksidantë
Studimet e fundit kanë treguar gjithashtu se mbipesha rrit ndjeshëm rrezikun e Alzheimerit, pasi yndyrnat në trup ndihmojnë përhapjen e proteinave toksike në tru. Nga ana tjetër, ushtrimet fizike të moderuara ose intensive ulin rrezikun deri në 41%.

Aktivitetet si ecja e shpejtë, vrapimi ose biçikleta janë të dobishme, por disa shkencëtarë theksojnë se stërvitjet me intensitet të lartë (HIIT), të cilat kombinojnë ushtrime të shkurtra por shumë intensive me periudha rikuperimi, mund të jenë edhe më efektive për ruajtjen e shëndetit të trurit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë të shmangen stërvitjet shumë intensive para gjumit, pasi mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e gjumit dhe kështu të rrisin rrezikun e demencës.
Sipas hulumtimeve, mosha ideale për të rritur aktivitetin fizik për të parandaluar demencën është ndërmjet 45 dhe 65 vjeç. /GazetaExpress/