Votojnë të burgosurit në burgun e Sigurisë së Lartë - Gazeta Express
string(51) "votojne-te-burgosurit-ne-burgun-e-sigurise-se-larte"

Lajme

Gazeta Express

12/10/2025 13:18

Votojnë të burgosurit në burgun e Sigurisë së Lartë

Lajme

Gazeta Express

12/10/2025 13:18

Nga mbi 190 të dënuar e të burgosur të cilët janë duke vuajtur dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë, 125 prej tyre kanë të drejtë vote. Të njëjtit tashmë kanë nisur këtë proces në një objekt brenda hapësirave të BSL, i cili është kthyer në një vendvotim për të dënuarit.

Në sallën e vizitave e kontrolleve në Burgun e Sigurisë së Lartë tashmë është vendosur edhe një vendvotim i cili do të jetë i hapur deri në orën 19:00 e që të dënuarit mund ta shfrytëzojnë të votojnë.

Procedurat për ditën e zgjedhjeve për të cilën të drejtë vote do të kenë edhe të dënuarit ka nisur javë më parë.

KALLXO.com ka ndjekur nga brenda Burgut të Sigurisë së Lartë vendosjen e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe identifikimin e të dënuarve që do të votojnë.

Përveç komisionit brenda Burgut të Sigurisë së Lartë ka qenë edhe një ekip e zyrës së Avokatit të Popullit. Nga afër ata do të përcjellin procesin e votimit për të dënuarit për të parë nëse nuk u shkelen të drejtat e garantuara me kushtetutë dhe ligjet e Kosovës.

Si shkon procesi i votimit?

Disa nga të dënuarit që kanë vite që janë brenda Burgut të Sigurisë së Lartë për shkak të skadimit të afatit të dokumentit identifikues nuk do të kenë mundësi të votojnë. Edhe ata që nuk janë shtetas të Kosovës nuk kanë të drejtë vote, e që në Burgun e Sigurisë së Lartë ka të tillë.

Sipas drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, për 3 javë rresht BSL ka komunikuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjnë përgatitjet për votimin nga të dënuarit. Kjo për faktin se KQZ identifikon komunën prej nga janë të dënuarit e më pas të njëjtëve do të u mundësohet të votojnë për atë komunë.

Ndonëse një proces që zgjat, Shërbimi Korrektues i Kosovës u mundësoi të gjithë të burgosurve me të drejtë vote të kryejnë obligimin e tyre ani pse janë të privuar nga liria.

Të dënuarit nga secili pavijon do ftohen që të votojnë dhe vazhdimisht të njëjtit do të jenë edhe në përcjellje të gardianëve të burgut që po kujdesen për mbarëvajtjen e procesit por edhe sigurinë e zyrtarëve të tjerë që janë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Burgu i Sigurisë së Lartë, konsiderohet njëri nga qendrat që ka sigurinë më të lartë në vend për shkak se mban të dënuarit dhe të paraburgosurit me rrezikshmërinë më të lartë.