Një çift turistësh nga Zvicra kanë humbur në Parkun Kombëtar të Shebenikut në Librazhd , në zonën e mbrojtur që shtrihet në juglindje të vendit.
Dyshohet se ata kanë dalë nga shtegu i shënuar dhe kanë humbur orientimin gjatë një ecjeje në natyrë.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej turistëve ka pësuar një dëmtim në këmbë dhe ka kërkuar ndihmë urgjente.
Administrata e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, ka ngritur një grup emergjence, i cili në bashkëpunim me forcat e policisë së komisariatit të Librazhdit po zhvillon një operacion kërkimi për të gjetur dhe shpëtuar turistët e huaj.
Operacioni është në zhvillim dhe situata mbetet delikate, për shkak të terrenit malor dhe motit që mund të përkeqësohet.