Gjatë ndeshjes mes Kosovës dhe Sllovenisë e cila përfundoi me rezultatin 0-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sytë e të pranishmëve nuk u ndalën vetëm te fusha e blertë.
Një banderolë e vendosur në tribunë u bë simbol i mbrëmjes duke përcjellë një mesazh të fortë historik dhe patriotik.
Në sfondin e flamujve kuqezi dhe atyre të Kosovës, mbishkrimi i saj goditi zemrat e tifozëve shqiptarë
“90 minuta futboll? Ne i mbijetuam luftës”, shkruhej në banderolë.
Kjo tregon edhe njëherë lidhjen e fortë dhe të pandashme të dy kombeve si Shqipëria dhe Kosova.
Gjithashtu ky mesazh vjen si një paralajmërim ndaj serbëve të cilët ditën e sotme luajnë ndaj kombëtares shqiptare.
Atmosfera në stadium ishte e zjarrtë dhe ndonëse ndeshja përfundoi pa gola, fituesit e vërtetë ishin vet ata, tifozeria dhe zemrat shqiptare.
Mirëpo, kjo banderolë nuk mbeti pa u përmendur edhe në Serbi.
Portali serb “Telegraf” e cilëson ‘skandaloze’ vendosjen e një baneri të tillë. Madje ky portal ia kushtoi një artikull të veçantë këtij baneri me titullin “Terroristë të UÇK-së dhe një baner i ri skandaloz në të ashtuquajturën ndeshjes mes Kosovës dhe Sllovenisë: I mbijetuam luftës”.
“Të ashtuquajturit futbollistë të Kosovës barazuan 0:0 me Slloveninë në ndeshjen e raundit të tretë të Grupit B në kualifikimet për Kupën e Botës në FIFA, dhe vetë dueli u shënua nga një banderolë skandaloze në tribuna.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, dhe gjatë ndeshjes në rrethojat e tribunës u shfaq një banderolë në të cilën, përkrah stemës së Shqipërisë dhe imazhit të një pjesëtari të UÇK-së”, shkruan portali serb.
Sonte, Serbia e Shqipëria ndeshen në një ndeshje të zjarrtë në Leskovc, me fillim nga ora 20:45./GazetaExpress/