Kombëtarja e Kosovës i nis përgatitjet “anti-Suedi”, mbetet pa Alitin e Dellovën - Gazeta Express
string(77) "kombetarja-e-kosoves-i-nis-pergatitjet-anti-suedi-mbetet-pa-alitin-e-delloven"

Futboll

Gazeta Express

11/10/2025 14:48

Kombëtarja e Kosovës i nis përgatitjet “anti-Suedi”, mbetet pa Alitin e Dellovën

Futboll

Gazeta Express

11/10/2025 14:48

Pas barazimit me Slloveninë pa gola në “Fadil Vokrri”, kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për misionin “anti-Suedi”.

Gjatë ditës së sotme, futbollistët e kombëtares së Kosovës i janë rikthyer stërvitjeve për të qenë gati për ndeshjen e radhës të këtij muaji – atë ndaj Suedisë në Goteborg.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë me dije se lojtarët që luajtën mbrëmë kanë pasur vetëm rigjenerim në ambientet e hotelit ku po qëndrojnë, teksa në fushën stërvitore u paraqitën ata futbollistë që s’patën minuta në këmbët e tyre.

FFK-ja më tutje njofton se Fidan Aliti – i cili është i suspenduar për lojën e radhës – është liruar nga grumbullimi, së bashku me Lumbardh Dellovën, i cili nuk arriti të rikuperohej në kohë nga një lëndim që po e shqetëson që dy javë.

Mungesat e Alitit dhe Dellovës janë një alarm i kuq për Franco Fodan, i cili ka mbetur pa tre qendërmbrojtës, që llogariteshin më me përvojë në kombëtare.

“Dardanët” do të zhvillojnë nesër stërvitjen e fundit, para nisjes për në tokën suedeze.

Ndeshja Suedi – Kosovë do të luhet të hënën më 13 tetor, me fillim nga ora 20:45.

Kosova është e dyta në grupin B të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026, me katër pikë të grumbulluara pas tri ndeshjesh.

Ndërkohë, Suedia është e fundit në grup me vetëm një pikë.

Zvicra e kryeson grupin me nëntë pikë të mbledhura në tri ndeshje, ndërsa Sllovenia është e treta me dy pikë./GazetaExpress/