Në audio-incizimin e të dyshuarit për spiunazh Fatmir Sheholli, bashkëbiseduesit pretendohet se janë Duda Balje dhe Amir Rrustemoviq - Gazeta Express
string(131) "ne-audio-incizimin-e-te-dyshuarit-per-spiunazh-fatmir-sheholli-bashkebiseduesit-pretendohet-se-jane-duda-balje-dhe-amir-rrustemoviq"

Lajme

Gazeta Express

10/10/2025 14:43

Në audio-incizimin e të dyshuarit për spiunazh Fatmir Sheholli, bashkëbiseduesit pretendohet se janë Duda Balje dhe Amir Rrustemoviq

Lajme

Gazeta Express

10/10/2025 14:43

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), të premten ka publikuar një audio-incizim mes të arrestuarit për spiunazh Fatmir Shehollit dhe dy personave tjerë.

Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, në këtë audio-incizim thuhet se është deputetja Duda Balje dhe një person me emrin Amir Rrustemoviq.

“Betimi për Drejtësi”, ka telefonuar Amir Rrustemoviqin, i cili për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se në këtë audio-incizim është ai dhe deputetja Duda Balje.

Gazetarja: Sipas burimeve tona, jeni ju në atë audio-incizim bashkë me Duda Balaj. A mundeni me konfirmu?

“Po, edhe me Fatmir Shehollin”, ka thënë ai.

Kur është pyetur se çfarë është biseduar në këtë takim, Rrustemoviq është shprehur se nuk mund të flasë, pasi sipas tij, ai është person i shtetit.

“Zonjë, jam njeri i shtetit, me shtetin jam 25 vjet, nuk muj unë ashtu me telefon s’jam unë dallaveraxhi ose dikush tjetër, jam edhe (nuk kuptohet) i organeve”, ka thënë ai, pa treguar se çfarë pozite mban kur thotë që është person i shtetit.

Tutje, kur pyetet për raportin me Duda Balje, ai sërish nuk tregon se çfarë raporti ka me deputeten.

“Për Dudën (hahaha). Oh kuku, çka me bo, s’ka shumë fjalë”, ka thënë ai.

“Betimi për Drejtësi”, ka telefonuar disa herë edhe deputeten Duda Balje, por ajo nuk ka qenë e qasshme. Përgjigje nuk ka kthyer as në mesazh.

Lidhur me atë se kur është zhvilluar ky takim dhe çfarë është folur tjetër në këtë takim, Rrustemoviq thotë se është sekret.

“Këtu është sekret, sekret është vallah, sekret është. Pyetje për një milion euro”, ka thënë tutje ai.

Ndryshe, sipas raportimit të transmetuesit publik, audio-incizimi dëshmon për lidhjet e Shehollit me Listën Serbe, i cili thotë se ka raporte të mira me Millan Radoiçiq.

“Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe, në gjithçka. Është mjaft e çuditshme në opinion, por nga ana tjetër…unë po hapem këtu me ju që të dini me kënd…”, dëgjohet duke thënë Sheholli.

“Bravo ju qoftë, bravo”, thotë në anën tjetër bashkëbiseduesi i Shehollit.

“Miku im i madh është Milan Radoiçiq, miku im i madh, edhe mik i tyre është. Kjo që po ndodh, që po flasin për të merr me rezervë, mos fol për të ashtu siç ke folur deri tani…”, vazhdon ndër të tjera Sheholli.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Spiunazh”.

Një ditë më parë, Sheholli u arrestua në Prishtinë, në një aksion të Policisë dhe Prokurorisë, të ndihmuar edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë për Shehollin do të mbahet në orën 13:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special. Pritet që seanca të jetë e mbyllur për publikun.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar të enjten se pas hetimeve disamujore është arrestuar Fatmir Sheholi nën dyshimin për spiunazh.

“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”. I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së”, njoftoi PSRK.

Bëhet e ditur se operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale. Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, njoftoi Prokuroria. /BetimipërDrejtësi