Një tjetër incident i rëndë është shënuar në ambientet e gjykatave në vend, kësaj here në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ku një avokat ka ushtruar dhunë fizike ndaj një punonjësi sigurie.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në zonën e kontrollit me detektorë metali, në hyrje të godinës. Sipas burimeve, avokati Redi Llanaj ka kërkuar të hyjë në ambientet e gjykatës, duke pretenduar se ishte thirrur zyrtarisht. Pasi roja e sigurisë e kundërshtoi dhe nuk e lejoi hyrjen, mes tyre ka nisur një debat verbal që përshkallëzoi në dhunë fizike ndaj punonjësit të sigurisë.
Menjëherë pas incidentit, avokati Llanaj është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime mbi ngjarjen. Kujtojmë se Redi Llanaj është gjithashtu avokat i ish-deputetes Monika Kryemadhi.
Ky nuk është rasti i parë i tensioneve në gjykatat e vendit. Po sot, në Apelin e Tiranës, një qytetar kërcënoi një roje sigurie me fjalët “jeni për t’u vrarë të gjithë”, vetëm pak ditë pas një ngjarjeje tragjike në të njëjtën gjykatë, ku më 6 tetor 2025 u vra në krye të detyrës gjyqtari Astrit Kalaja.