Të bëhesh histori pa u ndier pjesë: Ekspozita e Driton Selmanit në Zvicër - Gazeta Express
string(72) "te-behesh-histori-pa-u-ndier-pjese-ekspozita-e-driton-selmanit-ne-zvicer"

Arte

Gazeta Express

10/10/2025 11:45

Të bëhesh histori pa u ndier pjesë: Ekspozita e Driton Selmanit në Zvicër

Arte

Gazeta Express

10/10/2025 11:45

Artisti, Driton Selmani do ta ketë të hapur ekspozitën në ‘Shqipstër’ në Cyrih, titulluar “Mjaftueshëm të bëhesh histori, po kurr’ mjaftueshëm gjatë për të përkitur”. Pas ekspozitës, më 16 tetor Selmani do t’i bashkohet Artan Islamajt për një bisedë publike.

Driton Selmani — Binnenland Sehnsucht , 2025 Punuar me penë karboni mbi letër të vjetër shkolle dhe shoqëruar me një shishe qelqi të gjetur. Përmasa: 32 x 10 cm. Me mirësjellje nga artisti ©

Ekspozita

Ekspozita shpaloset si një meditimi mbi migrimin, distancën dhe përkatësinë, përmes lentes së sezonalëve shqiptarë (Saisonniers) në Zvicër. Të reduktuar në etiketën funksionale “fuqi punëtore”, jetët e tyre u shndërruan në arkiva të padukshme të zhvendosjes. Fjalët e Max Frisch ende kumbonë: “Kërkuam punëtorë, dhe erdhën njerëz.”
Në qendër të ekspozitës qëndron akti i dhënies formë tregimeve të shtypura — i rikthimit të asaj që ishte fshirë. Punët e Driton Selmanit nuk e ilustrojnë historinë, ato e thyejnë, e mbivendosin, e kthejnë përmbys, derisa mungesa fillon të flasë.

Driton Selmani — Kidnapped Coconuts, 2025 Foto polarioid. Dimensione të ndryshme. Me mirësjellje nga artisti ©

Flamuj fantazmë dhe udhëtime imagjinare

Një pjesë e ekspozitës endet si një fantazmë: flamuri Reality Check, dikur ngritur me krenari në Prishtinë, tani qëndron pezull si një mesazh i shtrembëruar. Mes poezisë, humorit therës dhe realitetit brutal, ai ngjall dëshirën për arratisje — mallin për një “diku tjetër” të imagjinuar.
ZigZag, një vepër në edicion të kufizuar, harton një kalim imagjinar nga Prishtina drejt Alpeve zvicerane shpëtimtare, ashtu siç i vizatoi dikur Rodolphe Töpffer më 1844. Duke shtresuar epoka dhe vende, trillime dhe fakte, Selmani fabrikon një pasaportë për gjendje të pasigurta të qenies. Dokumenti ligjor shndërrohet në teatër të trazirës politike, duke përfshirë një protestë në Zürich kundër rritjes së çmimeve të fluturimeve për në Prishtinë. Këtu, faktet zëvendësohen nga sarkazma e mprehtë e artistit, që e kthen realitetin në një fushë loje mes fantazish dhe dështimesh.
Siç na kujton Edward Said, mërgimi është “çarja midis njeriut dhe vendlindjes, midis vetes dhe shtëpisë së tij të vërtetë.” Punët e Selmanit mishërojnë këtë frakturë, duke e skenëzuar atë në objekte njëkohësisht të brishta dhe sfiduese.

Driton Selmani — ZigZag Nr.80, 2019 Punuar me laps karboni mbi letër. Përmasa: 40 x 29 cm. Me mirësjellje nga artisti ©

Koha, kufijtë dhe dokumentet e rreme

Një shënim i thjeshtë, i kornizuar në mënyrë antike, reflekton mbi perceptimin e kohës — si fiton ajo vlerë, këtu e atje, në mungesë dhe mall. Në Zvicër, koha matet, vlerësohet dhe adhurohet; në mërgim, ajo zgjatet dhe tretet.
Në fasadën e galerisë, Selmani shkruan një dëshmi gjuhësore:

ARBEITSKRÄFTE BESTELLT, ZUKUNFT GELIEFERT
(Punëtorë të porositur, të ardhme të dorëzuara.)

Fraza përmbledh kërkesën për punë dhe mbërritjen e papritur të pranisë, identitetit dhe transformimit. Ajo që dikur u reduktua në funksion, bëhet vetë fuqi — e shumëllojshme, e mishëruar, e pakthyeshme.
Një tjetër qendër gravitacionale shfaqet përmes ekspozimit të pasaportave të rreme zvicerane, që artikulojnë një perceptim të tretë: jo atë që mendohet, as atë që ekziston, por atë që vetëm imagjinohet. Ato flasin për utopi dhe mashtrim, për pragje midis ligjshmërisë dhe mbijetesës, midis fantazisë dhe shtetit. Këtu, nocioni i Relation i Édouard Glissant bëhet i prekshëm — ideja se identitetet nuk ekzistojnë në izolim, por në negociatë të përhershme me Tjetrin, të formuara përmes errësisë, kalimit dhe shkëmbimit.
Ekspozita mbyllet me një mesazh në shishe: Landlocked Deep Desires (2019). I ngujuar në ironi, ky punim flet me zërin e të pazërshmëve — atyre që mund të dërgojnë vetëm mall përtej kufijve. Përmbledhur në një frazë të vetme, ai evokon pamundësinë e kthimit, shtyrjen e përhershme të përkatësisë, dhe poetikën e brishtë të mërgimit. Siç kujton sërish Glissant, “të endesh është të mësosh lidhjen” — të banojmë në hapësirën në mes, aty ku malli vetë bëhet territor.

Driton Selmani — ZigZag Nr.83, 2019 Punuar me laps karboni mbi letër. Përmasa: 29 x 21 cm. Me mirësjellje nga artisti ©

Midis mërgimit dhe përkatësisë

Historia e Saisonniers jehon gjendjen e mërgimit: të zhvendosur, por thelbësorë; të munguar, por të pranishëm. Etel Adnan shkruante: “Bota është mërgimi im. Jam në shtëpi në të sepse kurrë s’jam në shtëpi.” Fjalët e saj prekin jetët e padukshme pas statistikave të migrimit — punëtorët që mbajtën barrën e mungesës për të siguruar praninë diku tjetër.
Ndërhyrjet e Selmanit pasqyrojnë këtë paradoks: vepra që janë njëkohësisht dokumentare dhe poetike, satirike dhe elegjiake, fakt dhe trillim. Kjo ekspozitë solo e Driton Selmanit është një dëshmi kundër fshirjes. Ajo lidh gjeografi dhe gjenerata, duke i riformuluar dokumentet e migrimit — flamujt, pasaportat, kontratat, arkivat — në ndërhyrje poetike. Sfidohet mënyra se si shkruhet historia dhe kush lejohet të përkasë.
Së fundi, është një kërkesë për të njohur se ajo që ishte fshehur, ka qenë gjithmonë këtu, duke formësuar të tashmen.


Teksti: Alex F. Koenig

Driton Selmani — ZigZag:, Passport for Uncertain States 2019 Kopertinë e fortë | 32 faqe | 125 × 85 mm. Shtyp “offset”, botim prej 100 kopjesh të nënshkruara nga artisti. Me mirësjellje nga artisti ©

Biografi:

Alex F. Koenig (1978) është kurator që jeton dhe punon mes Glasgow dhe New Mexico. Praktika e tij përqendrohet në politikën e përfaqësimit, me theks të veçantë në rolin e zërit dhe muzikës në artin bashkëkohor, si dhe në strategjitë dekoloniale që sfidojnë narrativat dominuese. Përmes këtyre qasjeve, ai krijon platforma për forma të reja identiteti, kujtese dhe përkatësie. Puna kuratoriale e Koenig karakterizohet nga një vetëdije e mprehtë për strukturat e pushtetit dhe një përkushtim ndaj mbështetjes së praktikave që rimendojnë mbijetesën, autonominë dhe përfaqësimin përtej kategorive të imponuara.

Driton Selmani (1987) është artist që jeton dhe punon mes Prishtinës dhe Doganajt. Praktika e tij çmonton siguritë e trashëguara dhe i kornizon ato si imazhe, objekte dhe gjeste të paqëndrueshme. Duke u rritur në një vend ku iu kërkua të adhuronte një shtet që më nuk ekzistonte, ai zhvilloi një skepticizëm ndaj çdo të “vërtete” të dhënë — një metodë që sot e përdor për të dekonstruktuar formacione politike, kulturore dhe shoqërore. Duke zhveshur flamujt, dokumentet dhe mitet nga autoriteti i tyre dhe duke i rindërtuar ato si artefakte të brishta ironie dhe rezistence, Selmani pozicionohet njëkohësisht si dëshmitar dhe aktor, duke i shndërruar historitë personale në reflektime të mprehta mbi identitetin, mbijetesën dhe përkatësinë.

Driton Selmani — Workers were ordered, futures delivered, 2025 Shkronja të prera në vinyl mbi dritare. Përmasa të ndryshueshme. Me mirësjellje nga artisti ©

Pas ekspozitës së tij, artisti Driton Selmani do t’i bashkohet Artan Islamajt për një bisedë publike. Së bashku do të reflektojnë mbi punën (fizike) të migrantëve dhe mallin, peshën e dokumenteve dhe flamujve, paradokset e migrimit dhe të përkatësisë, si dhe gjurmët që diaspora shqiptare ka lënë në historinë e Zvicrës — të shkruara mjaftueshëm për t’u bërë histori, por kurrë mjaftueshëm për t’u ndier pjesë.

/Gazeta Express