Futbollisti i Mansfield Town, Lucas Akins, është rikthyer në stërvitje të plotë pas përfundimit të dënimit me burg, pasi pranoi se kishte shkaktuar vdekjen e një çiklisti për shkak të një “momenti pakujdesie” gjatë drejtimit të makinës.
36-vjeçari u dënua me 14 muaj burg nga Gjykata e Leeds-it në prill dhe iu pezullua patenta për dy vjet, pasi goditi me makinën e tij Mercedes G-Wagon çiklistin Adrian Daniel në mars të vitit 2022, teksa dilte nga një kryqëzim rural i vështirë.
Daniel, baba i një fëmije, ishte duke u kthyer nga puna kur u godit dhe vdiq në spital pas 10 ditësh nga plagët e rënda në kokë. Momenti i aksidentit ishte regjistruar nga kamera në helmetën e tij.
Klubi Mansfield Town, që kishte vazhduar ta përfshinte Akins në formacion edhe pasi ai pranoi fajësinë, njoftoi të enjten se ka mbajtur regjistrimin e tij si lojtar dhe se ai është riintegruar me ekipin e parë, ndonëse kontrata e tij kishte skaduar në verë.
“Në përputhje me parimet e rehabilitimit dhe riintegrimit, klubi beson se Lucas, pasi ka shlyer dënimin, duhet të ketë mundësinë të rifillojë karrierën e tij profesionale,” thuhej në deklaratën e klubit.
Akins ka shprehur sërish pendesë të thellë për ngjarjen tragjike dhe e pranon ndikimin e madh që ka pasur kjo tragjedi tek familja e z. Daniel.
Mansfield gjithashtu shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës:
“Mendimet tona mbeten me të gjithë ata që u prekën nga ky aksident tragjik.”
Akins kishte luajtur ndeshjen e fundit më 21 prill, në humbjen 5-1 ndaj Reading-ut. Në qershor, klubi kishte njoftuar se “po shqyrtonte pozicionin e tij në lidhje me Lucas”.