Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës mes Malavit dhe Guinesë Ekuatoriale është shtyrë, pasi ekipi mysafir dyshohet se ka refuzuar të udhëtojë për shkak të një mosmarrëveshjeje me federatën e vet kombëtare.
Dy skuadrat do të përballeshin dje në Stadiumin Kombëtar Bingu në kryeqytetin Lilongwe të Malavit.
Vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes, Federata e Futbollit të Malavit (FAM) njoftoi se takimi ishte anuluar për shkak të “komplikimeve të paparashikuara të udhëtimit” që kishin prekur ekipin mysafir.
Në njoftimin zyrtar thuhej:
“Federata e Futbollit të Malavit (FAM) informon opinionin e gjerë se ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës mes Malavit dhe Guinesë Ekuatoriale, e planifikuar për sot në orën 18:00 në Stadiumin Kombëtar Bingu, nuk do të zhvillohet për shkak të komplikimeve të paparashikuara në udhëtimin e ekipit mysafir.
FIFA e ka anuluar zyrtarisht ndeshjen.
FAM do të njoftojë më vonë për statusin e biletave të blera paraprakisht.
Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar kjo situatë.”
Sipas gazetarit afrikan Micky Jnr, ka pasur tensione mes lojtarëve të Guinesë Ekuatoriale dhe federatës së tyre për orarin e udhëtimit.
Ai shton se lojtarët ishin njoftuar mbrëmë se do të fluturonin për në Malavi në mëngjes, por sot mësuan se fluturimi ishte shtyrë për pasdite, gjë që do t’i detyronte të përgatiteshin në avion dhe të shkonin direkt në stadium për të luajtur ndeshjen.