Në prag të përballjes vendimtare të 11 tetorit mes Kombëtares shqiptare të futbollit dhe asaj serbe, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, Radio Televizioni Shqiptar realizoi një intervistë ekskluzive me ish-trajnerin e ekipit të Shqipërisë, Gianni De Biasi.
Ai i ndau emocionet e një përballjeje historike dhe theksoi rëndësinë e unitetit, dhe rolin e trajnerit në momente vendimtare.
De Biasi rrëfeu jo vetëm për futbollin, por edhe për lidhjen e tij të veçantë me Shqipërinë.
Mister, është kënaqësi e veçantë që në prag të sfidës vendimtare të 11 tetorit, na bashkoheni Radio Televizionit Publik Shqiptar, në një bisedë për ekipin kombëtar të futbollit, Shqipërinë, të cilën ju e keni dashur dhe vazhdoni ta doni kaq shumë!
De Biasi: Jemi në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme për Kombëtaren tonë, e cila duhet medoemos të përpiqet të dalë nga Beogradi me një rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat e mundshme për kualifikimin në fazën finale, gjithmonë nëse do të arrijmë të kalojmë fazën e playoff-it. Lufta këtu është kundër Serbisë dhe kur them luftë e kam fjalën për betejat sportive. Ne duhet të provojmë ta kalojmë Serbinë sepse një gjë e tillë është e mundur.
De Biasi: Nuk mund ta besoj sesa shpejt kalon koha, bëhen gati 15 vjet nga momenti kur ju morët drejtimin e Shqipërisë.
Po, po, po, kanë kaluar shumë vite. Unë kam debutuar në vitin 2012. Erdha në Shqipëri në fund të vitit 2011 por luajtëm për herë të parë në vitin 2012, kështu që është një periudhë e gjatë dhe besoj se koha ka fluturuar. Kur kthehesh pas, e kupton që koha kalon shumë shpejt.
Të shtunën luajmë përballë Serbisë, rivalëve tani direkt në grup, në një ndeshje që duam apo nuk duam na krijon elektricitet. A keni emocione ende, si të gjithë shqiptarët?
Sigurisht që është një ndeshje emocionuese nga këndvështrimi i rezultatit, sepse është e rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë. Pastaj, përtej gjithçkaje që ndodhi në atë ndeshje të Beogradit, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe të mos ketë probleme. Besoj se marrëdhëniet mes federatave, Serbisë dhe Shqipërisë, janë shumë të afërta. Gjithmonë kanë qenë marrëdhënie shumë korrekte. Ende ka tension mes tifozëve, dhe kjo nuk është e lehtë për t’u kapërcyer por mendoj se sa i përket pjesës tjetër, gjithçka duhet të zhvillohet normalisht.
Mister, dua të jem menjëherë i drejtpërdrejtë, nëse kishte diçka që e dimë me siguri në atë kualifikim historik të Shqipërisë në Euro 2016 ishte uniteti i grupit që qëndronte i bashkuar brenda dhe jashtë fushe. Me aq sa nuhat nga larg, është e njëjta frymë tek skuadra e sotme?
Shiko, nuk e di nëse ekziston e njëjta atmosferë. Sigurisht, grupi im ishte një grup shumë i fortë, i bashkuar, një skuadër që luftonte njëri për tjetrin, kishte një vendosmëri të madhe, dhe ndoshta kishte marrë diçka nga karakteri im, për të mos u dorëzuar kurrë, për të luftuar për çdo top, pavarësisht kundërshtarit, dhe për të dhënë gjithçka në fushë. Pastaj, nuk e di se si janë marrëdhëniet brenda grupit. Mendoj se është një skuadër me cilësi ndoshta më të forta teknikisht se ajo që kisha unë, sepse ka shumë lojtarë që luajnë në kampionatet më të forta, ndërsa atëherë kishim shumë pak që luanin në kampionate të mëdha, por megjithatë arritëm të ndërtonim një skuadër, një grup që më pas u bë një skuadër e vërtetë në fushë.
Ju e keni provuar në kurrizin tuaj një nga skenarët më dramatikë të zhvillimit të një ndeshjeje futbolli (i referohem 14 tetorit të 2014 në Beograd). Jam i bindur që as e mendonit në atë kohë dhe as sot, askush nuk guxon të mendojë se ngjarje të tilla mund të përsëriten. Në këtë situatë, si duhet të jetë përgatitja psikologjike e lojtarëve kur luajnë kundër Serbisë, duke pasur parasysh historinë e tensionuar mes dy skuadrave?
E rëndësishme është të jesh skuadër. Grupi mund të bëhet, nuk është problem. Problemi është të jesh skuadër kur duhet, kur duhet të luftosh për njëri-tjetrin. Ka një dallim kyç këtu. Një grup mund të jetë një grup miqsh që ndihen mirë kur kalojnë kohë bashkë. Është tjetër gjë të jesh skuadër, të jesh funksional për njëri-tjetrin. Pra, aftësia për të mbështetur dhe për t’u mbështetur në fushë në momentet e veçanta të ndeshjes. Kjo është një punë që lidhet më pas me zgjedhjet teknike të trajnerit, i cili duhet të përpiqet të vendosë lojtarët që janë më në formë në atë moment, që kanë më shumë përputhshmëri me njëri-tjetrin. Kjo është diferenca thelbësore për të pasur mundësinë të arrish rezultate.
Në cilat pozita ndodhet sot trajneri Sylvinho?
Në aspektin sportiv mendoj se Sylvinho ka një detyrë të vështirë për të kualifikuar një skuadër e cila ndodhet në një grup me Serbinë e cila është shkëputur në renditje, si nga kualiteti ashtu dhe nga forca. Sylvinho duhet të mposhtë një skuadër të fortë sa Shqipëria, që është Serbia, dhe nuk e di nëse kaq mjafton për të gjykuar punën e tij.
Mister, referuar ndeshjeve të fundit eliminatore, a mendoni se Kombëtarja e Sylvinho-s mendon në unison për rëndësinë e kësaj përballjeje në të cilën një duhet të luajë për të gjithë e të gjithë duhet të luajnë për një?
Unë mendoj se po. Nuk shoh të ketë mungesë vullneti për të arritur rezultat pozitiv nga ana e skuadrës. Besoj se trajneri Sylvinho do ta përgatisë mirë skuadrën edhe nga ana psikologjike, për të hyrë në ndeshje me përqendrim të plotë dhe pa u ndikuar nga faktorë të jashtëm. Në fund të fundit, kjo është detyra e një trajneri, të marrë përgjegjësi më shumë se të gjithë të tjerët.
Jam i bindur që e njihni mirë edhe skuadrën serbe pasi shumë prej lojtarëve të saj kanë luajtur apo luajnë në kampionatin italian. Cila është pika e tyre e dobët, ku duhet t’i godasim?
Serbia nuk ka pikë specifike të dobëta. Janë të fortë fizikisht, luajnë në skuadra të mira, në kampionate të forta, tek ai italian dhe jo vetëm. Kanë kualitete. Është një Serbi që të hap telashe nëse nuk lufton për çdo top. Një skuadër kur i duhet të fitojë duhet t’i provojë të gjitha. Duhet të ketë parasysh të mos jetë e zbuluar në fushë. T’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që do krijohen. Mendoj se Shqipëria i ka të gjitha armët, cilësitë për ta mundur Serbinë. Shanset janë të larta. Serbia nuk ka bërë lojëra shumë të mira së fundi. Besoj se nëse ne mbajmë ritëm të lartë dhe sulmojmë vazhdimisht, mund t’i vendosim ata në vështirësi të mëdha.
Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria?
Ajo që më mungon më shumë janë emocionet në ato 5 vite e gjysmë, ku në dy vitet e para u përpoqëm të krijonim një grup, në dy të tjerat pasardhëse ia dolëm të arrinim një objektiv sinqerisht të pamendueshëm, sepse kur mendoj që kemi luajtur kundër Serbisë, Danimarkës, Portugalisë, kemi bërë një mrekulli. Me lojtarët që kishim në dispozicion ishte diçka jashtëzakonshme, por edhe njëherë kjo tregon vendosmërinë e tyre për të qenë një skuadër e vërtetë dhe për të qëndruar gjatë në mendjen e të gjithë shqiptarëve.
Nëse Sylvinho nuk është më trajner i Shqipërisë pas eliminatoreve të Botërorit, a është ende ambicie e Gianni De Biasit rikthimi në Kombëtaren kuqezi?
Edhe po, edhe jo. E kam të vështirë ta shpreh në shqip, por ajo që mund të them është se do të doja të rikthehesha në Shqipëri, por jo si trajner. Do të dëshiroja të isha dikush tashmë që punon në prapaskenë, por që jep një dorë të madhe për Federatën Shqiptare të Futbollit. Vetëm këtë. Shpresoj të shihemi herën tjetër në Shqipëri. Një përqafim për të gjithë. Mirupafshim.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...