Në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën e Apelit, u elaboruan ankesat e palëve në procedurë në rastin ku Tush Frokaj është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 21 vjet burgim për vrasjen e dhëndrit. Në këtë seancë, Prokuroria dhe pala e dëmtuar përmes ankesave kanë kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj Frokajt, ndërkaq mbrojtja kërkoi zbutje të dënimit.
Lidhur me akuzën e Prokurorisë se më 7 gusht 2023, Tush Frokaj e ka vrarë dhëndrin e tij, A.P., në Klinë si dhe ka vënë në rrezik jetën e personave të tjerë, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 prill 2025, e kishte dënuar të akuzuarin Frokaj me dënim unik me 21 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Prokuroria e Themelore në Pejë ka ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe ka propozuar që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i ashpër ose të anulohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe kjo çështje penale të kthehet në rigjykim.
Ndërsa, përfaqësuesi palës së dëmtuar, avokati Hamdi Ibrahimi, përmes ankesës ka theksuar se dënimi i shqiptuar nuk është në proporcion me veprën penale dhe të akuzuarit i është shqiptuar dënim më i butë sesa që parashihet me dispozitat ligjore.
Andaj, Ibrahimi ka propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.
Avokati Ibrahimi tha se dënimi nuk korrespodon me peshën e veprës që e ka kryer i akuzuari. Tha se me këtë rast, përveç vrasjes së tani të ndjerit A.P., qëllimi ka qenë vrasja shpirtërore e tërë familjes.
Ndërsa, edhe Mark Prenaj nga pala e dëmtuar, tha se nuk pajtohet me vendimin e gjykatës së shkallës së parë, pasi që sipas tij, djali i tij është vrarë pa faj.
Ankesë ndaj vendimit të Themelores ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Frokaj, avokati Ndrecë Dodaj, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë nuk i ka vërtetuar elementet e veprës penale për të cilat e ka shpallur fajtor të mbrojturin e tij.
Dodaj ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë dhe t’i zbutet dënimi Frokajt, ose çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Avokati Dodaj tha se është e rëndësishme që të shikohen disa ngjarje që i kanë paraprirë këtij viti, që kanë ndodhur 4-5 vite më parë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 mars 2024 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Tush Frokaj, akuzohej se më 7 gusht 2023, ka privuar nga jeta dhëndrin e tij, A.P., si dhe vuri në rrezik jetën e personave të tjerë dhe atë të dëmtuarit F.Rr. Frokaj ngarkohej se ka shtënë shtatë herë me revole në drejtim të A.P., duke e lënë në vend të vdekur.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.5 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Frokaj ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, pasi i janë gjetur një revole me dhjetë fishekë, një brez të pajisjeve të armës me pranga, këllëf të pistoletës, një shufër metalike, trembëdhjetë fishekë të tjerë, dy fishekë të pushkës së gjuetisë, pajisje për pastrim të armës, dhe një thikë.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, pas kryerjes së veprës penale, i akuzuari Frokaj në ditën kritike, del në sheshin “Nëna Terezë”, e ndalon veturën Golf VI, të cilën e voziste i dëmtuari A.T., ku edhe i drejton pistoletën “Sig Sauer”, dhe nën kërcënimin e armës duke ia drejtuar e detyron që ta voziste veturën në drejtim të fshatit Zllakuqan. Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari kishte frenuar veturën dhe ishte larguar, ku më pas i akuzuari kishte marrë veturën dhe ishte arratisur. Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Shtrëngimi”, nga neni 192, par.2, nënpar.2.1 dhe 2.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë, gjithashtu thuhet se pas ndalimit të veturës nga i dëmtuari e më të larguar nga vetura, Frokaj e merr veturën dhe arratiset e ku më pas atë veturë e lë tek shtëpia e tij, e që me këtë veprim ai akuzohet edhe për veprën penale “Marrja në posedim të pasurisë së luajtshme” nga neni 319, par.1 i KPRK-së.
Në aktakuzë, prokurori Ersan Qavolli, ka kërkuar që në rastin e shpalljes fajtor të të pandehurit, si rrethana rënduese me rastin e përcaktimit të dënimit të merren për bazë mënyra e kryerjes së veprës penale, e kaluara kriminale e të pandehurit, lidhja familjare e të pandehurit me viktimën dhe se tani i ndjeri i kishte ndihmuar disa herë të pandehurit.
I akuzuari Frokaj, ishte i dënuar edhe me dy aktgjykime të formës së prerë, e që sipas aktakuzës, kjo ishte vërtetuar faktin se tek i pandehuri asnjëherë nuk ishte arritur njëri ndër qëllimet e dënimit që është në risocializimin e tij./BetimipërDrejtësi/
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...