Veton Surroi i ka reaguar Enver Hasanit për një intervistë të tij dhënë Gazetës Express ku thotë se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses s’i lë mundësi Nenad Rashiqit të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit.
Ai ka thënë se Rashiqi është një prej 10 deputetëve që e përfaqësojnë komunitetin serb.
“Gabim thelbësor (apo disa gabime thelbësore rresht), sipas mendimit tim: 1. Nenad Rashiq është një prej dhjetë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që përfaqësojnë komunitetin serb. Ai është i barabartë me nëntë deputetët tjerë në përfaqësimin e komunitetin serb.”
Surroi ka shtuar se s’ekziston monopol përfaqësimi të komunitetit serb.
“2.Nuk ekziston monopol përfaqësimi të komunitetit serb, siç nuk ekziston monopol përfaqësimi të shqiptarëve, boshnjakëve apo cilitdo komunitet tjetër. Komunitetet nuk janë monolite, ato kanë pluralitet interesash, mendimesh,politikash. 3. E drejta parësore e propozimit nuk është e drejtë vetoje; shumica e deputetëve zgjedhin nga kandidatët e propozuar apo nxjerrë si propozim në short dhe kjo është e formuluar ekplicite në Aktgjykim. 4. Aktgjykimi është konsekuent në mbrojtje nga diskriminimi; përjashtimi i cilitdo deputet nga mundësia e zgjedhjes nënkryetar të komunitetit serb do të ishte pikërisht diskriminim. 5. Shumica e deputetëve të Kuvendit kanë obligim të zgjedhin një prej dhjetë deputetëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetin serb.”