Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të paqes në Gaza vonë mbrëmë.
Ai tha në Truth Social: “Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt, dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme”.
Pritet që qeveria izraelite të ratifikojë një marrëveshje armëpushimi – që pritet këtë mbrëmje – pas së cilës luftimet duhet të ndalen.
Ndërkohë, ju sjellim një përmbledhje e asaj që supozohet të vendosë, sipas propozimit fillestar prej 20 pikash të Donald Trump.
Çfarë duhet të ndodhë më pas:
Sapo të ratifikohet një marrëveshje nga të dyja palët, një armëpushim do të hyjë menjëherë në fuqi;
Izraeli do të tërhiqet brenda 24 orëve në vijën e rënë dakord – Hamasi tha se kjo do të ndodhë nesër;
Brenda 72 orëve pas kësaj, të gjithë pengjet izraelitë, të gjallë dhe të vdekur, do të lirohen nga Hamasi – Izraeli thotë se kjo mund të jetë të dielën ose të hënën;
Pasi të lirohen të gjithë pengjet, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme dhe 1,700 banorë të Gazës të ndaluar pas 7 tetorit;
Ndihma humanitare që hyn në Gaza do të rritet në deri në 600 kamionë në ditë, sipas të dyja palëve.
Çfarë mbetet pezull:
Qeveria e Izraelit ende duhet të ratifikojë marrëveshjen, e cila supozohet të ndodhë në një takim të kabinetit të sigurisë në orën 15:00;
Armëpushimi duhet të zbatohet dhe të zgjasë përtej lirimit të pengjeve dhe të burgosurve që të fillojë faza e dytë;
Hamasi tha se ndërmjetësit kanë dhënë garanci për të siguruar që marrëveshja nuk do të shkelet pasi të ketë humbur ndikimi i saj kryesor;
Hamasi do të duhet të çarmatoset, sipas fazës së dytë të planit, por nuk e ka diskutuar ende këtë;
Qeverisja e ardhshme e Gazës mbetet e pasigurt, pasi Hamasi thotë se do t’ia lërë sundimin e saj vetëm një qeverie palestineze, jo bordit ndërkombëtar të planit. /Telegrafi