Kandidati për Asamblenë Komunale të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Andi Belegu, ka theksuar se kujdesi ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta duhet të jetë përkushtim i përbashkët i institucioneve dhe shoqërisë, duke e cilësuar atë si “detyrim moral ndaj shoqërisë që duam të ndërtojmë”.
“Gjatë karrierës sime kam marrë pjesë në shumë aktivitete vullnetare me organizata që punojnë për ngritjen e vetëdijes për identifikimin e hershëm dhe kujdesin ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta. Aty kam mësuar se sa shumë dashuri, përkushtim dhe durim kërkon kjo punë, por mbi të gjitha, sa shumë dinjitet dhe forcë kanë këta fëmijë dhe familjet e tyre”, ka thënë Belegu.
Ai ka treguar se gjatë fushatës ka takuar shumë prindër që ndihen të lënë vetëm në përballjen e përditshme, pa mbështetje të mjaftueshme institucionale, me mungesë të kushteve në shkolla dhe pa ndihmë të specializuar. “Këta fëmijë nuk kërkojnë mëshirë, kërkojnë mundësi dhe dinjitet. E Prishtina duhet të jetë qytet që kujdeset për secilin fëmijë,” ka shtuar ai.
Belegu ka paraqitur disa masa konkrete që synon t’i realizojë në mandatin e ardhshëm, nëse merr besimin e qytetarëve:
• Rritjen e numrit të asistentëve edukativë në shkolla dhe çerdhe.
• Përshtatjen e hapësirave publike dhe shkollave me standarde të qasjes universale.
• Hapjen e Qendrës së Re të Kujdesit Ditor për fëmijë me nevoja të veçanta, me staf të specializuar dhe mbështetje për prindërit.
• Punësimin e logopedëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare, për të siguruar identifikim dhe ndërhyrje të hershme në zhvillimin e të folurit dhe komunikimit.
• Fuqizimin e bashkëpunimit me organizatat që punojnë në këtë fushë.
“Koha është për një Prishtinë që ofron mundësi të barabarta për të gjithë,” ka përfunduar Belegu.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...