Hasani: Gjykata tregoi kush e bllokoi Kuvendin, por duhej ta sanksiononte sjelljen e LVV-së, kam frikë se "rashomoniada" do të vazhdojë - Gazeta Express
string(130) "hasani-gjykata-tregoi-kush-e-bllokoi-kuvendin-por-duhej-ta-sanksiononte-sjelljen-e-lvv-se-kam-frike-se-rashomoniada-do-te-vazhdoje"

Lajme

Gazeta Express

09/10/2025 13:02

Hasani: Gjykata tregoi kush e bllokoi Kuvendin, por duhej ta sanksiononte sjelljen e LVV-së, kam frikë se “rashomoniada” do të vazhdojë

Lajme

Gazeta Express

09/10/2025 13:02

Instanca më të lartë gjyqësore në vend e konsideron të pakonstituuar Kuvendin dhe për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimi i fundit është i qartë.

“Ajo që Gjykata do të duhej të thoshte, megjithatë, ka të bëjë me sanksionimin e sjelljes jokushtetuese të partisë që fiton shumicën e zgjedhjeve nga radhët e shqiptarëve”, i tha Gazetës Express Enver Hasani në një intervistë me shkrim.

Sidoqoftë, Kushtetuesja, thotë ai, “me guxim të madh, ka thënë përfundimisht se deputetët kanë detyrim kushtetues për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, nëse duan të kenë një Kuvend të konstituar”.

Gjykata konstatoi se procedura për zgjedhjen e Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit nga komunitetet e tjera minoritare joserbe nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Duke ‘amnistuar’ zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi, Gjykata Kushtetuese ka ‘shpëtuar fytyrën’ e LVV-së, por njëkohësisht ka krijuar iluzione tek ata se, me presione terrorizuese, mund të fitojnë koncesione edhe në të ardhmen – koncesione që mund të çojnë në zgjedhjen e një serbi ‘të mirë për pushtetin’, por që nuk e përfaqëson komunitetin serb në Kosovë”, thotë Hasani.

Mënyra e administrimit të shortit, thotë profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, “ka qenë jokushtetuese” sipas aktgjykimit dhe Hasani përmend se Gjykata nuk ka konstatuar “asnjë shkelje kushtetuese në veprimet e ‘Listës Serbe'”.

“Problemi ka qenë dhe mbetet tek sjelljet jokushtetuese, të përsëritura në vazhdimësi, nga partia e parë fituese e zgjedhjeve”, sipas tij. Hasani, konsideron, njësoj siç thotë se ka konstatuar edhe Gjykata, se “gjendja është e qartë dhe e pastër si loti”.

Kushtetuesja “më nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje”, thotë Hasani, i cili, për dallim prej kolegëve në Kushtetuese, thotë se ka frikë se “kjo ‘rashomoniadë’ do të vazhdojë, me aktorë të njëjtë, me të njëjtën qasje dhe me të njëjtin qëllim”.

INTERVISTA:

Gazeta Express: Sa ka ‘kryer punë’, sipas jush, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese?

Hasani: Ky aktgjykim ngjason me të parin, atë të qershorit të këtij viti, sepse në dispozitiv ose në pjesën operative nuk përmban urdhër. Në mënyrë të çuditshme, urdhëri gjendet në pjesën arsyetuese të aktgjykimit.

Gazeta Express: A mendoni se aktgjykimi i lë mundësi Nenad Rashiqit të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, pavarësisht se përmendet që shumica e deputetëve serbë duhet ta propozojnë kandidatin për nënkryetar?

Hasani: Jo. Aktgjykimi, në arsyetimin e tij, është i qartë: përfaqësuesit e shumicës serbe kanë prerogativën kushtetuese për propozim. Ky ka qenë dhe mbetet një e drejtë e pastër kushtetuese, e përcaktuar qartë në tekstin e Kushtetutës së Kosovës. Komunitetet përfaqësohen nga ata deputetë që kanë marrë votat e shumicës së komunitetit përkatës dhe që janë deklaruar, para dhe gjatë zgjedhjeve, se e përfaqësojnë atë komunitet. Rashiqi nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë, sot për sot, e përfaqëson partia “Lista Serbe”.

Gazeta Express: Mënyra e votimit të nënkryetarëve minoritarë, thotë Kushtetuesja, mbetet në vullnetin e deputetëve dhe nuk konstaton ndonjë shkelje në veçimin që u bë për Emilija Rexhepin. Si e vlerësoni?

Hasani: Në dy aktgjykimet e para, Gjykata ka theksuar se duhet të zbatohen praktikat e mëhershme parlamentare, krahas Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit. Kjo ka nënkuptuar se është dashur të ndiqet rendi i ditës, ashtu siç ishte caktuar më 8 prill 2025 dhe siç ka theksuar vetë Gjykata Kushtetuese në dy aktgjykimet e saj paraprake.

Ky standard tani është ndryshuar, duke lënë në fuqi zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi. Nga arsyetimi nuk shihet askund pse Gjykata ka ndryshuar këtë standard, dhe kjo përbën një problem të madh, sepse cenon sigurinë juridike të palëve. Për të ndryshuar një standard të tillë, duhet të ketë ndryshim të rrethanave shoqërore – gjë që nuk është rasti. Që nga nxjerrja e dy aktgjykimeve pararendëse, nuk ka pasur asnjë ndryshim tjetër, përveç presionit të paparë e terrorizues ndaj Gjykatës Kushtetuese, të ushtruar nga zoti Kurti dhe aleatët e tij.

Sidoqoftë, vlen të theksohet se ky ndryshim i standardit nuk ndryshon asgjë thelbësore, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se deputetët kanë detyrim kushtetues për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb dhe se afati 12-ditor nuk fillon të rrjedhë derisa të kryhet përzgjedhja në fjalë. Në mënyrë shumë të qartë, Gjykata ka treguar se kjo çështje është ezauruar dhe se nuk mund të trajtohet më, për shkak të qartësisë absolute që ka pasur që nga fillimi.

Gazeta Express: A argumenton mjaftueshëm ky aktgjykim për përgjegjësinë në bllokimin e Kuvendit?

Hasani: Jashtëzakonisht mjaftueshëm. Ky aktgjykim ka treguar qartë se ku ka ngecur puna e Kuvendit dhe ka identifikuar në mënyrë të qartë momentet kushtetuese të bllokimit, të cilat lidhen me sjelljet e kryetarit të Kuvendit dhe të partisë së tij. Kështu ka qenë edhe në dy aktgjykimet pararendëse. “Amnistimi” për zonjën Emilia Rexhepi nuk ndryshon asgjë në këtë aspekt: aktgjykimi tregon qartë se mënyra se si është administruar shorti ka qenë jokushtetuese dhe se nuk është konstatuar asnjë shkelje kushtetuese në veprimet e “Listës Serbe”.

Gazeta Express: Çfarë duhet të saktësonte aktgjykimi, sipas jush?

Hasani: Duke “amnistuar” zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi, Gjykata Kushtetuese ka “shpëtuar fytyrën” e LVV-së, por njëkohësisht ka krijuar iluzione tek ata se, me presione terrorizuese, mund të fitojnë koncesione edhe në të ardhmen – koncesione që mund të çojnë në zgjedhjen e një serbi “të mirë për pushtetin”, por që nuk e përfaqëson komunitetin serb në Kosovë.

Kjo qasje e Gjykatës – pra, ndarja e rendit të ditës dhe e dispozitës kushtetuese që flet për komunitetet joshqiptare në mënyrë të veçantë – mbetet e paarsyetuar dhe, ndoshta në të ardhmen, do të krijohen rrethana të tjera për ta qartësuar.

Sidoqoftë, duhet vënë në dukje se Gjykata Kushtetuese, me guxim të madh, ka thënë përfundimisht se deputetët kanë detyrim kushtetues për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, nëse duan të kenë një Kuvend të konstituar.

Gazeta Express: A ju duket paksa kontradiktor aktgjykimi?

Hasani: Jo, aspak. Aktgjykimi është i qëndrueshëm dhe konzistent. Ato që po theksoj janë vetëm finesa profesionale, të cilat në asnjë mënyrë nuk e pengojnë zbatimin e tij. Me të njëjtën qartësi kanë qenë edhe dy aktgjykimet pararendëse. Problemi ka qenë dhe mbetet tek sjelljet jokushtetuese, të përsëritura në vazhdimësi, nga partia e parë fituese e zgjedhjeve.

Gazeta Express: Kushtetuesja thotë se mekanizmi debllokues për votimin deri në 3 herë për një kandidat “nuk mund të bëhet pengesë”. Por a mund të ngec konstituimi i Kuvendit pikërisht në këtë pikë që përsëritet?

Hasani: Gjykata ka vendosur paralele të qarta me partinë fituese shumicë të zgjedhjeve nga komuniteti shqiptar. Më pas, ka elaboruar situatën kur një komunitet humb të drejtën për të propozuar: prerogativa kushtetuese për propozim nuk është absolute – kjo është e njohur. Është një standard civilizues që askush nuk mund të përfitojë nga një situatë jokushtetuese që ka krijuar vetë. Ekziston precedenti i mandatimit të zotit Avdullah Hoti për kryeministër.

Ky, siç e thashë, është një standard juridik civilizues, i lashtë sa vetë drejtësia. Gjykata ka bërë të qartë se as serbët dhe askush tjetër nuk mund të përfitojnë nga një situatë eventuale të krijuar nga vetë ata. Ajo që Gjykata do të duhej të thoshte, megjithatë, ka të bëjë me sanksionimin e sjelljes jokushtetuese të partisë që fiton shumicën e zgjedhjeve nga radhët e shqiptarëve. Nëse për serbët dhe minoritetet vlen humbja e prerogativës për të propozuar kandidat për shkak të mospropozimit sipas rrugës së kërkuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, atëherë e njëjta duhet të vlejë edhe për partinë fituese të zgjedhjeve nga radhët e shqiptarëve.

Gjykata duhet të qartësojë këtë diskriminim kushtetues mes partive të popullit shumicë dhe komuniteteve pakicë, përkatësisht të sqarojë pse pakicat humbasin të drejtën kur bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kurse shqiptarët nuk e humbasin këtë të drejtë, edhe nëse ushtrojnë pafundësisht prerogativën e njëjtë kushtetuese për propozim të kandidatit për Kuvend.

Sidoqoftë, është e qartë nga arsyetimi i Gjykatës se e ashtuquajtura “e drejtë e vetos” nuk ka ekzistuar kurrë, përveç në kokat e atyre që kanë qenë “në anën e sipërme të lumit” dhe kanë akuzuar të tjerët “në anën e poshtme” për trubullim të ujit. Kjo hipokrizi rreth të drejtës së vetos është qartësuar plotësisht.

Gazeta Express: Pse mendoni se Kushtetuesja nuk përmendi ndonjë pasojë nëse Kuvendi nuk konstituuohet brenda afatit të mbetur 12-ditor?

Hasani: Nga arsyetimi del qartë se Gjykata, me plot të drejtë, konsideron se gjendja është e qartë dhe e pastër si loti dhe se më nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje. Politika të bëjë çfarë të dojë. Janë tre aktgjykime të këtij viti dhe një nga viti 2014, që interpretojnë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Unë, për vete, nuk jam optimist si kolegët e Gjykatës Kushtetuese; kam frikë se kjo “rashomoniadë” do të vazhdojë, me aktorë të njëjtë, me të njëjtën qasje dhe me të njëjtin qëllim.