Skyweb.al
Pas disa vitesh diskutimesh, qeveria duket se po konkretizon sigurimin e detyrueshëm të banesave kundër tërmeteve. Projektligji është hedhur për konsultim publik me palët e interesit, ndërsa Ministri i Financave zhvilloi dy ditë më parë një takim me aktorët e tregut të sigurimeve për të diskutuar draftin.
Nisur vetëm nga retorika publike, idea mund të duket si një garanci shtetërore për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, por në thelb, modeli që po propozohet është një shpikje shqiptare, një formulë që nuk ekziston në asnjë vend të Bashkimit Europian, sepse e kthen shtetin papritur në një kompani sigurimesh.
Nga mënyra si është konceptuar të funksionojë skema, me shtetin si sigurues, duket se kemi të bëjmë më shumë me një taksë të re, sesa me pagesë primesh sigurimi, ku siguruesi i del më pas për zot rriskut që ka blerë.
Kjo qasje e vendos administratën publike në rolin e agjentit të sigurimeve, duke shtuar koston për qytetarin pa garantuar cilësi në shërbim apo konkurrencë reale në treg.
Për më tepër, kjo është një shpika “made in Albania”.
Turqia dhe Rumania janë dy vendet që merren shpesh si shembuj për modele të ngjashme, por në fakt ato e kanë zgjidhur krejt ndryshe, me një sistem ku shteti është garantor dhe jo operator sigurimesh, siç parashikohet në draftligjin shqiptar.
Në të dy rastet, skemat janë ndërtuar si partneritete publike–private: shteti garanton mbikëqyrjen dhe ndërhyn vetëm në raste ekstreme, ndërsa kompanitë private menaxhojnë policat, mbledhin primet dhe paguajnë dëmet.
Në Turqi, për shembull, funksionon fondi DASK, një “pishinë” kombëtare sigurimesh ku qeveria është vetëm garant fiskal, jo operator.
Në Rumani, modeli PAID bashkon 13 kompani sigurimi që mbulojnë shtëpitë ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve, me ndërhyrje të kufizuar shtetërore.
Në të dyja rastet, skemat funksionojnë në treg të hapur, me transparencë, konkurrencë dhe efikasitet, duke shmangur monopolin shtetëror dhe koston e administratës publike.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 pasqyroi edhe një maturim të tregut privat të sigurimeve në Shqipëri, ku qindra qytetarë dhe biznese të siguruara i morën dëmshpërblimet në kohë rekord.
Shembulli është, nuk ka nevojë të shpiket rrota.
Përtej aspektit ekonomik, modeli që propozohet në Shqipëri sjell edhe një pasojë të qartë politike: rritjen e ndikimit të shtetit në tregun financiar.
Çdo institucion i ri i tillë nënkupton një bord, dhjetëra pozicione drejtuese dhe qindra vende pune të reja që do të paguhen nga vetë qytetarët përmes primit.
Në vend që të ndërtojë një sistem efikas në bashkëpunim me tregun e sigurimeve, qeveria po zgjedh rrugën e centralizimit.
Një skemë që, në emër të “mbrojtjes nga tërmetet”, rrezikon të kthehet në një monopol publik pa garanci reale për qytetarin.
Në një kohë kur çdo vend europian po forcon partneritetin mes shtetit dhe sektorit privat për menaxhimin e risqeve natyrore, Shqipëria po shkon në kah të kundërt.
Kjo nuk është reformë është rikthim në logjikën e shtetit që kontrollon gjithçka, ku qytetari nuk zgjedh, por paguan.
Dhe ku, si gjithmonë, përfituesit e vetëm janë ata që do të emërohen për ta “menaxhuar” këtë fond të ri. /skyweb.al
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...