Një tjetër shtetas shqiptar që kërkohej ndërkombëtarisht është ekstraduar drejt vendit, falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për Clevio, emër i njohur për publikun shqiptar, 39 vjeç, lindur në Lushnjë, i cili ishte shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Clevio (K.A.) u lokalizua dhe u arrestua në Dubai, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, që synon kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë që i fshihen drejtësisë, duke qëndruar jashtë vendit, kryesisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas njoftimit zyrtar nga Interpol Tirana, Clevio ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i kishte caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”. Ai akuzohet se për një periudhë të gjatë ka përndjekur, si fizikisht ashtu edhe përmes rrjeteve sociale, shtetasin R.R. dhe familjarët e tij.
Përveç kësaj, Gjykata e Fierit e ka dënuar gjithashtu në vitin 2024 me 9 muaj burg, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer masën e sigurisë të caktuar më parë ndaj tij.
Pas finalizimit të procedurave të ekstradimit, Clevio është sjellë në Shqipëri ku do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë mbi të.