Vjena, qyteti ku mikpritja takohet me elegancën baroke
Çdo vit, revista e njohur britanike e udhëtimeve “Condé Nast Traveller” u jep lexuesve të saj mundësinë të votojnë për destinacionet më të preferuara në botë. Në edicionin e “Readers’ Choice Awards 2025”, ku morën pjesë mbi 180 mijë lexues, Vjena ka arritur një sukses të trefishtë, duke zënë tre vende në podium në kategori të ndryshme, shkruan albinfo.at.
Në kategorinë “Friendliest Cities” (Qytetet më miqësore), Vjena është shpallur qyteti më miqësor në Evropë, duke lënë pas qytete si Firenca, San Sebastian, Rejkjavik dhe Lisbonën. Dhjetëshen e parë e plotësojnë Kopenhaga, Oslo, Porto, Madridi dhe Praga.
Në rang botëror, kryeqyteti austriak renditet në vendin e dytë, menjëherë pas Quito-s në Ekuador, dhe përpara Kapshtadit. Pas tyre vijojnë Singapori, Firenca, Melburni, Sidnei, Lisbona, Edinburgudhe Kioto.
Edhe në vlerësimin për “Best Cities” (Qytetet më të mira), Vjena ka zënë një pozicion të lartë: vendi i tretë në Evropë, pas Valettës dhe Oslos. Pas saj renditen Kopenhaga, Madridi, Mynihu, Lisbona, Stokholmi, San Sebastian dhe Palma. Në rang botëror, Vjena ka arritur të pozicionohet në vendin e nëntë.
“Vjenëzët njihen për një ‘grant’ të veçantë, një lloj humori dhe sharmi të fortë që duket se i ka pëlqyer lexuesve tanë,” tha Norbert Kettner, drejtor i Turizmit të Vjenës.
“Lexuesit e ‘Condé Nast Traveller’ e përshkruajnë Vjenën si një qytet të gjelbër, plot fytyra miqësore që të mirëpresin me ngrohtësi. Kombinimi i arkitekturës baroke me kulturën e kafeneve pasqyron edhe vetë shpirtin e vjenëzëve – një kompliment i bukur që na gëzon jashtëzakonisht shumë,” shtoi ai.