Një nga medikamentet më të përdorura kundër dhimbjes, tramadoli, mund të mos jetë aq efektiv sa mendohej për trajtimin e dhimbjeve afatgjata, paralajmërojnë ekspertët.
Hulumtues nga Rigshospitalet në Kopenhagë, Danimarkë, të cilët analizuan të dhënat shëndetësore të mbi 6,500 pacientëve, zbuluan se tramadoli ofron vetëm një lehtësim të vogël dhe afatshkurtër, ndërsa rreziku i efekteve anësore serioze – përfshirë sëmundje të zemrës – është i lartë.
Studimi, i publikuar në revistën BMJ Evidence Based Medicine, shqyrtoi 19 prova klinike mbi pacientë me dhimbje kronike (neuropatike, artrit, dhimbje të shpinës dhe fibromialgji). Përfundimi: përfitimet e tramadolit dhe opioideve të ngjashme nuk e justifikojnë përdorimin e tyre afatgjatë.
Çfarë zbuloi studimi?
Tramadoli ulte dhimbjen në nivel minimal, pa sjellë përmirësim real në simptomat e pacientëve.
Pacientët që e përdornin ishin dyfish më të rrezikuar nga efektet anësore krahasuar me ata që merrnin placebo.
Efektet anësore përfshinin dhimbje gjoksi, insuficiencë kardiake, nauze, marramendje, kapsllëk dhe përgjumje.
Sipas studiuesve:
“Rreth 60 milionë njerëz në mbarë botën përjetojnë efektet varësuese të opioideve. Në vitin 2019, përdorimi i drogës shkaktoi 600,000 vdekje, ku pothuajse 80% lidhen me opioidet.”
Në Britani, tramadoli është një nga ilaçet më të përshkruara nga NHS, me qindra mijëra receta çdo muaj. Edhe në SHBA mbetet shumë i përdorur, me mbi 16 milionë receta në vit.
Paralajmërimi i mjekëve
Profesorja Kamila Hawthorne, kryetare e Royal College of GPs, tha:
“Mjekët e familjes janë të vetëdijshëm për ndikimin e rëndë që dhimbjet kronike kanë tek pacientët. Në Mbretërinë e Bashkuar, mjekëve u është rekomanduar të limitojnë, reduktojnë dhe idealisht të ndalojnë përshkrimin e tramadolit për dhimbjet kronike, veçanërisht tek pacientët e rinj.”
Ajo shtoi se trajtimi i dhimbjeve afatgjata është shpesh i vështirë, pasi shkaku nuk është gjithmonë i qartë, ndaj kërkohet një qasje e kombinuar që përfshin edhe opsione jo-medikamentoze.
Kriza e opioideve
Hulumtime të tjera kanë treguar se NHS ka shpenzuar gati 1 miliard paund për opioide të varësisë gjatë pesë viteve të fundit. Kostoja e recetave është rritur nga 90 milionë paund në 2019 në 186 milionë paund në 2023, me rritje të mëtejshme këtë vit.
Ndërkohë, mijëra pacientë që presin operacione të vonuara janë detyruar të mbështeten tek tramadoli dhe ilaçe të tjera të forta, duke u ekspozuar ndaj rrezikut të varësisë edhe pas trajtimit kirurgjikal. /GazetaExpress/
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...