Shkencëtarët thonë se kanë zhvilluar testin e parë në botë të gjakut për sindromën e lodhjes kronike (e njohur si myalgic encephalomyelitis – ME), por ky zbulim ka shkaktuar menjëherë polemika në komunitetin shkencor, me disa ekspertë që e kanë quajtur “një agim të rremë tjetër”.
Deri më sot, kjo sëmundje diagnostikohej vetëm duke vlerësuar simptomat dhe duke përjashtuar shkaqe të tjera.
Një ekip nga Universiteti i East Anglia (UEA) dhe kompania bioteknologjike Oxford BioDynamics pretendojnë se testi i ri arrin 96% saktësi në identifikimin e ME-së, duke ngjallur shpresë për qindra mijëra pacientë që vuajnë për vite të tëra pa diagnozë të qartë.
Sipas tyre, testi – i publikuar në revistën shkencore Journal of Translational Medicine – zbulon shenja epigjenetike unike në gjak, të cilat shfaqen vetëm tek pacientët me ME. Në studim u analizua gjaku i 47 pacientëve me ME të rëndë dhe 61 vullnetarëve të shëndetshëm, duke krijuar një model diagnostikues me 92% ndjeshmëri dhe 98% specifikë.
“Zbulimi ynë ofron potencialin për një test të thjeshtë e të saktë gjaku që mund të ndihmojë në konfirmimin e diagnozës dhe të çojë drejt mbështetjes së hershme dhe menaxhimit më efektiv”, – tha profesori Dmitry Pshezhetskiy, udhëheqës i studimit.
Megjithatë, ekspertë të tjerë kanë kërkuar kujdes, duke paralajmëruar se rezultatet bazohen në një studim të vogël “proof-of-concept” dhe nuk janë testuar ndaj sëmundjeve të tjera me simptoma të ngjashme, si fibromialgjia, skleroza multiple apo depresioni.
Dr. Charles Shepherd, nga Shoqata Britanike për ME, u shpreh:
“Këto rezultate duken si një hap i rëndësishëm përpara, por nevojitet kërkim i mëtejshëm për të vërtetuar se testi është i saktë në fazat e hershme dhe për të përjashtuar sëmundje të tjera kronike.”
Edhe Dr. Alastair Miller, ish-konsulent për sëmundjet infektive, tha se pretendimi për një saktësi kaq të lartë është “i jashtëzakonshëm, por ndoshta i paarritshëm në praktikë”, duke frikësuar se mund të krijojë shpresa të rreme te pacientët.
Profesorë nga Universiteti i Edinburgut dhe The Open University shtuan se testi duhet të përsëritet në studime më të gjera dhe të pavarura përpara se të përdoret në klinika, ndërsa edhe kostoja e tij mund të arrijë deri në 1,000 paund.
Çfarë është sindroma e lodhjes kronike (ME/CFS)?
Prek rreth 400,000 njerëz në Britani dhe deri në 30 milionë në mbarë botën.
Simptomat përfshijnë lodhje ekstreme, përkeqësim pas aktivitetit edhe minimal, dhimbje muskujsh e kyçesh, çrregullime gjumi, dhimbje koke dhe “mjegull në tru” (vështirësi në përqendrim e kujtesë).
Shumë pacientë mbeten të paaftë për punë, ndërsa 1 në 4 janë aq të rënduar sa mbeten të shtrirë në shtrat ose të izoluar në shtëpi.
Nuk ka kurë të njohur; trajtimi fokusohet vetëm në menaxhimin e simptomave dhe ndihmën në përditshmëri.
Sindroma është më e përhapur tek gratë, zakonisht mes moshave 25–50 vjeç, por mund të shfaqet në çdo moshë.
Në vitin 2021, udhëzimet zyrtare të NICE në Britani hoqën terapitë e mëparshme të kontestuara si ushtrimet e gradueshme dhe terapia kognitive-biheviorale, pas protestave të pacientëve. /GazetaExpress/
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...