Infantino dekorohet me Medalje Nderi nga presidentja Vjosa Osmani, kreu i FIFA-s me fjalë të mëdha për Kosovën - Gazeta Express
string(109) "infantino-dekorohet-me-medalje-nderi-nga-presidentja-vjosa-osmani-kreu-i-fifa-s-me-fjale-te-medha-per-kosoven"

Futboll

Gazeta Express

08/10/2025 14:26

Infantino dekorohet me Medalje Nderi nga presidentja Vjosa Osmani, kreu i FIFA-s me fjalë të mëdha për Kosovën

Futboll

Gazeta Express

08/10/2025 14:26

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka dekoruar sot me Medalje të Nderit presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA.

Italiano-zvicerani u nderua në vendin tonë në një ceremoni të organizuar në Prishtinë.

Pasi e mori këtë medalje, kreu i FIFA-s u shpreh se për të ky është një nder dhe privilegj, ndërsa pati fjalë të mëdha për Kosovën, për popullin e saj dhe për presidentin historik të FFK-së, Fadil Vokrri.

“Futbolli i bashkon popujt, e bashkon vendin dhe e bën pjesë të një lëvizjeje në Evropë, dhe i bën vajzat dhe djemtë të ëndërrojnë dhe shpresojnë në të ardhmen e tyre”, tha fillimisht Infantino.

“Është nder i madh dhe kënaqësi e madhe, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë. Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova”, shtoi ai.

“Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit… por siç e dimë të gjithë, futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”, vazhdoi Infantino.

“Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj”, përfundoi kreu i futbollit botëror.

Ndërkohë, presidentja Osmani tha se loja e futbollit e ka mbajtur gjallë shpirtin e shumë fëmijëve qysh prej kohës së luftës në Kosovë më 1999.

“Nën udhëheqjen tuaj, FIFA është bërë familje me shumë kombe. Kjo për Kosovën ka pasur rëndësi jetike. Ju u keni ndihmuar lojtarëve tanë që ta bartin flamurin tonë duke garuar me krenari në skenat ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

Presidenca e ka përshkruar Infantinon si “mik të vërtetë të futbollit” dhe “mik të vërtetë të Kosovës”. /Gazeta Express