Ditën e djeshme, Qeveria në detyrë e Kosovës, njoftoi se për ndarjen e 100 eurove për studentët, siç u tha, ‘’për të lehtësuar kostot e studimeve’’. Ky veprim i qeverisë u prit mes kritikash. Reagimet që u bënë duke kritikuar qeverinë për mungesë planesh për zhvillim ekonomik, duke theksuar se një shumë e tillë prej 100 eurosh nuk ndikon në mirëqenien e qytetarëve. Dhe, arsyeja tjetër, ishte vendimi u mor në kohë fushate.
Më saktësisht, qytetarët e vendit do të votojnë pas katër ditësh për të preferuarit e tyre për kryetarë komunash.
Njohësit politik e panë vendim e qeverisë në detyrë, si vendim me efekt fushate.
Madje, edhe vetë Lëvizja Vetëvendosje, përdori vendimin në fjalë për fushatë, në profilin zyrtar të kësaj partie në Facebook.
‘‘Qeveria Kurti ndan 26 milionë euro për studentët
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Albin Kurti, ka miratuar ndarjen e 26 milionë eurove në mbështetje për studentët, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
Të gjithë studentët që plotësojnë kriteret do të përfitojnë nga 100 euro mbështetje e njëhershme, për të lehtësuar kostot e studimeve.
Po ashtu, u lansua edhe programi “Bursa e Mobilitetit për Studentët”, një masë e përhershme që mbështet financiarisht studentët në nevojë, në varësi të largësisë ndërmjet vendbanimit dhe universitetit.
Ky vendim është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të fuqizuar të rinjtë përmes arsimit të barabartë dhe të qasshëm’’, thuhet në postimin e VV-së.
Ndryshe, ndër reagimet që kritikuan erdhën edhe nga shoqëria civile. Më saktë, Eugen Cakolli nga KDI vlerësoi dje se me vendimin në fjalë, qeveria ka hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe zgjedhor dhe tha se ky vendim përbën “një shembull të qartë të përdorimit të burimeve publike për qëllime zgjedhore”.
“Ndarja e 100 eurove për studentët nga Qeveria në detyrë, si dhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parashikuara në buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Si pasojë, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parashikon për qeverinë në detyrë. Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë ka tejkaluar tashmë vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, gjë që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinë ose të nevojshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe zgjedhor. Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën një shembull të qartë të përdorimit të burimeve publike për qëllime zgjedhore”, tha ai.
Reagime pati edhe nga skena politike. Ndër ta ishte lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili, vendimin e qeverisë në detyrë, e pa si panikë të Kurtit për ‘’humbjen e madhe që e pret të dielën’’ e 12 tetorit, ditën e zgjedhjeve lokale.
“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën. Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote. Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten. Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, tha ai.
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...