Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes publike “Ibër Lepenc”, nuk është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë për korrupsion.
Gjykimi ndaj ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe ish-drejtorit për Gjeodezi, Hysen Muzliukaj dështoi të niste sot për shkak të mungesës së të dyve, e edhe avokatëve të tyre.
Gjykata konstatoi se në mungesë të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, nuk kishte kushte për të vazhduar me shqyrtimin fillestar. Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra tha se Mujkës ia kishin dërguar një ftesë, por se nuk kishin dëshmi se ai e ka pranuar atë.
Sipas gjykatëses, do të vlerësohet nëse të akuzuarit i kanë pranuar ftesat dhe do të vepronin sipas procedurave, duke mos përjashtuar sjelljen me detyrim në seancë.
Kjo mungesë e Mujkës mund të ketë ardhur edhe për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që mbahen këtë të dielë.
Një paraqitje e Mujkës sot në gjykatë, mund t’i sillte dëm partisë së tij, LVV-së, e cila po angazhohet fort për ta bërë Faton Pecin kryetar të Mitrovicës.
Sipas aktakuzës, ata të dy e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare lidhur me këmbimin e një prone të ish-Bankosit me pronë private. Mujka, veçanërisht, akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, pasi nuk i kishte deklaruar 60 mijë euro që i ishin sekuestruar në shtëpinë e tij në Mitrovicë, gjatë zbatimit të një urdhërkontrolli të Gjykatës.
Prokuroria Speciale para një muaji ngriti aktakuzë ndaj Mujkës dhe Muzliukajt, të cilët akuzohen se kishin vepruar në dëm të interesit publik dhe në kundërshtim me ligjin e rregulloren për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së Komunës.
Ata akuzohen se i shkaktuan Agjencisë Kosovare e Privatizimit dëm të konsiderueshëm, në vlerën e objektit të tjetërsuar/këmbyer, që ishte llogaritur të jetë 125 mijë e 100 euro.
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...