Katër persona, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë u fundos në brigjet e një ishulli lindor të Egjeut. Autoritetet vendase nxorrën trupat e dy grave, një burri dhe një vajze nga deti në brigjet jugore të ishullit të Lesbos. Mediat e huaja shkruajnë se varka gjysmë e zhytur, u gjet pranë një pjese shkëmbore të bregut.
Tridhjetë e katër të mbijetuar arritën në breg vetë dhe u gjetën nga policia. Një operacion kërkim-shpëtimi në tokë dhe det u anulua, pasi të mbijetuarit u thanë autoriteteve se kishte gjithsej 38 persona në bordin e varkës dhe nuk kishte persona të tjerë të zhdukur. Ende nuk është e qartë se çfarë e ka shkaktuar fundosjen, ndërsa autoritetet greke po punojnë për të zbardhur ngjarjen.
Kombësia e të mbijetuarve dhe viktimave nuk është bërë ënde me dije, por dyshohet se i përkasin kombësive të ndryshme. Greqia është një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian për njerëzit që ikin nga konflikti dhe varfëria në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi. Shumë prej tyre bëjnë udhëtimin e shkurtër, por të rrezikshëm, nga bregu turk në ishujt grekë aty pranë, me barka të fryra ose me barka të tjera të vogla, shpesh të papërshtatshme për lundrim, dhe fundosjet fatale kanë qenë të zakonshme.
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...