Vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtarët akuza të forta ndaj policisë së shtetit - Gazeta Express
string(72) "vrasja-e-astrit-kalase-gjyqtaret-akuza-te-forta-ndaj-policise-se-shtetit"

Lajme

Gazeta Express

08/10/2025 8:40

Vrasja e Astrit Kalasë, gjyqtarët akuza të forta ndaj policisë së shtetit

Lajme

Gazeta Express

08/10/2025 8:40

Çfarë mund të kërkonte drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, këtë mëngjes në Gjykatën e Apelit, pikërisht në sallën ku një ditë më parë u vra gjyqtari Astrit Kalaja? Një homazh i vonuar, apo ndoshta një inspektim nga afët për të gjetur një alibi, se pse policia që ai drejton nuk ishte aty kur duhej?

Tashmë është e konfirmuar se futja e vrasësit, Elvis Shkambi në sallën e gjyqit i armatosur erdhi si pasojë e neglizhencës së rojes që nuk kreu asnjë kontroll edhe pse dedektori e sinjalizoi. Po ashtu, pamjet e vrasësit, që qëndron në oborrin e gjykatës me duar në xhepa dhe që i thërret vetë policët tregojnë se gjykatësi Astrit Kalaja nuk pati asnjë masë sigurie për punën e tij dhe përgjegjësinë për këtë e kishte policia.

Vrasësi i gjykatësit, Elis Shkambi duke pritur policët me duar në xhepa
Vrasësi i gjykatësit, Elis Shkambi duke pritur policët me duar në xhepa

Pikërisht drejt policisë e ngre gishtin Këshilli i Lartë Gjyqësor që u mblodh në një mbledhje të jashtëzakonshme pas vrasjes së kolegut të tyre.

Akuza e gjyqtarëve ndaj policisë

Gjyqtarët e dinë mirë se në atë sallë, që dje u kthye në skenë krimi, deri një ditë më parë ishte vetëm një polic për gjithë sigurinë e godinës. Akuzën e tyre e kanë konfirmuar edhe zyrtarisht në deklaratën përfundimtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), ku kanë folur hapur për policinë që ka lënë gjykatat pa mbrojtje, pavarësisht kërkesave të përsëritura për të shtuar numrin e efektivëve në sallat e gjyqit.

Kërkesat kanë qenë të qarta. Gjyqtarët i kanë publikuar në rrjetet sociale shkresat zyrtare drejtuar ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku, por përgjigjja e tij ishte po aq e qartë sa edhe cinike:

“Aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor” ka qenë përgjigja e ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë dy vite më parë.

KLGJ publikoi dokumentet në rrjetet sociale, për t’i treguar publikut se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ishte e paralajmëruar.

Dhe në deklaratën pas mbledhjes, Këshilli nënvizoi: “Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.”

Nga kjo rezulton se gjyqtari Astrit Kalaja prej kohësh ishte lënë pa mbrojtje, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës, njësoj si të gjithë kolegët e tij në gjykatat e tjera.

Një gënjeshtër nga ministrja e Ramës

Në vend që të reflektonte, qeveria zgjodhi të justifikohej. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, doli pas ngjarjes për të shpëtuar fytyrën e policisë, duke deklaruar se “Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.”

Kjo deklaratë nuk është kaluar në heshtje nga gjyqtarët. Meqënëse e dinë ligjin më mirë se ministrja, zgjodhën t’ia kujtojnë me dokumenta vendimin e qeverisë së vitit 2010, i cili ngarkon Policinë e Shtetit me përgjegjësinë për ruajtjen dhe sigurinë e godinave të gjykatave.

Pse duhej të gënjente Albana Koçiu?

Këtu lind pyetja e natyrshme: pse një ministre e Brendshme duhet të gënjejë publikisht për një përgjegjësi kaq të qartë? A është thjesht injorancë? A ishte thjesht paaftësia për të njohur ligjin që duhej të ishte në themel në punën e saj? Apo deklarata e ministres së Ramës ishte një gënjeshtër e llogaritur, për të evituar një përplasje me gjyqësorin?

Në fakt, përplasja me gjyqësorin është një refren i përsëritur me forcë nga Edi Rama muajt e fundit.

Kryeministri ka qenë në një ofensivë të hapur ndaj gjyqtarëve, duke i akuzuar herë si njerëz pa atdhe e pa flamur e herë si njerëz që keqpërdorin pavarësinë e gjyqësorit duke shpërdoruar detyrën. Në këtë klimë armiqësie, çdo incident që ndodh ndaj një gjyqtari mund të lexohet edhe si pasojë e drejtpërdrejtë e gjuhës së pushtetit. Dhe ndoshta për këtë arsye, Albana Koçiu zgjodhi të fshihte të vërtetën, jo për të mbrojtur policinë, por për të mbrojtur shefin e saj./Lapsi.al