Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar se arsimi do të jetë prioriteti kryesor i programit të tij qeverisës për mandatin e ardhshëm.
“Së bashku me mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë qytetarët, do të punojmë me përkushtim për të garantuar një arsim edhe më cilësor në shkollat tona,” ka deklaruar Osmani.
Ai ka nënvizuar se procesi i digjitalizimit në arsim është i pashmangshëm dhe do të jetë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të këtij sektori.
“Do të angazhohemi për ta bërë arsimin tonë më bashkëkohor dhe më afër standardeve evropiane,” tha ai.
Në kuadër të planit të tij për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, Osmani ka paralajmëruar ndërtimin e tre shkollave të reja dhe tre çerdheve të reja në qytet, si dhe tre çerdheve të tjera në fshatra, për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të banorëve të komunës.
Një segment i veçantë i programit të tij është përfshirja dhe mbështetja e fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Do të ofrojmë kushte më të mira për përfshirje, zhvillim dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë,” ka shtuar kandidati i LDK-së.
Me moton “Fushë Kosova PËRTEJ!”, Besnik Osmani thekson se vizioni i tij për komunën bazohet në arsim cilësor, infrastrukturë moderne dhe zhvillim gjithëpërfshirës.