Pas njoftimit të Sergio Busquets se do të pensionohet në fund të sezonit të MLS, këtë të martë është radha e një tjetër legjende të Barcelonës, Jordi Alba.
Mbrojtësi i majtë i Inter Miami, produkt i akademisë së La Masia, bëri të ditur vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli në fund të sezonit, përmes një videoje emocionuese të shpërndarë në rrjetet e tij sociale.
Alba pati një periudhë të suksesshme 11-vjeçare me skuadrën e parë të Barcelonës, që filloi me kthimin e tij në klub në vitin 2012 pas një periudhe te Valencia.
Gjatë kohës së tij me klubin katalanas, Alba krijoi një bashkëpunim historik me Lionel Messin, që u bë një nga lidhjet më efektive në fushë. Në shumë raste, mbrojtësi i majtë asistoi yllin argjentinas për të shënuar gola për ekipin.
Kjo lidhje u vazhdua edhe në Shtetet e Bashkuara kur Alba iu bashkua Messit te Inter Miami në vitin 2023, pas largimit nga Barcelona.
Alba është konsoliduar si një nga mbrojtësit më të mirë të majtë në historinë e Barcelonës dhe të Spanjës.
Në karrierën e tij, 36-vjeçari ka fituar:
6 tituj të La Liga
1 Ligë të Kampionëve
5 Kupa të Mbretit
4 Superkupa të Spanjës
1 Kupë Botërore për klube
1 Superkupë të UEFA-s
Gjithashtu, një EURO dhe një titull në Ligën e Kombeve me kombëtaren e Spanjës.
Në vitin e tij të parë me Messin dhe Busquets tek Inter Miami, Alba fitoi Leagues Cup.
Tani, mbrojtësi veteran i majtë vendos të ulë siparin e një karriere të shkëlqyer – një pension që e ndan me shokun dhe mikun e tij të ngushtë, Sergio Busquets./GazetaExpress/