Barcelona do të përballet me një situatë tjetër të ndërlikuar në janar: çfarë të bëjë me Marc-André ter Stegenin.
Portieri gjerman qëndroi në klub gjatë verës pasi iu nënshtrua një operacioni në shpinë, por e ardhmja e tij pritet ende të jetë larg Katalonisë.
Barcelona kishte dashur ta shiste Ter Stegenin gjatë afatit kalimtar veror, por ai bëri të qartë se nuk kishte asnjë dëshirë të largohej.
Vendimi i tij për të zgjidhur përmes operacionit një problematikë të përsëritur në shpinë bëri që largimi të mos ishte i mundur – megjithatë kjo krijoi tensione, pasi fillimisht ai refuzoi të nënshkruante një dokument mjekësor që do t’i lejonte klubit të regjistronte Joan Garcian në vendin e tij.
Për këtë arsye, Ter Stegeni u hoq përkohësisht nga pozicioni i kapitenit, por pasi pranoi të nënshkruante dokumentin, ai u rikthye në detyrë.
Megjithatë, nuk ka asnjë garanci që ai do të riregjistrohet në janar, gjë që do të thotë se largimi është i mundshëm – më shumë gjasa në formë huazimi, për t’i mundësuar atij të luajë rregullisht para Kupës së Botës së verës së ardhshme.
Sipas “Sport” (nëpërmjet “CaughtOffside”), Manchester Unitedi, Tottenham Hotspuri dhe Newcastle Unitedi kanë bërë pyetje për situatën e Ter Stegenit gjatë javëve të fundit, për të kuptuar mundësinë e një transferimi. Barcelona është e gatshme ta lërë të largohet, por vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre.
Manchester Unitedi ishte lidhur me nënshkrimin e tij edhe në verë, por marrëveshja nuk u realizua atëherë. Tani, në moshën 33-vjeçare, Ter Stegeni mund të jetë më i hapur ndaj një lëvizjeje kur të hapet merkatoja në janar, meqë ka nevojë të luajë rregullisht për të ruajtur vendin e titullarit në kombëtaren e Gjermanisë për Kupën e Botës./GazetaExpress/