Albian Hajdari është prezantuar edhe zyrtarisht tek Kombëtarja e Kosovës.
Përmes një videoje, ylli i ri i Dardanëve është prezantuar në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës në rrjetet sociale, shkruan “Gazeta Express”.
Qendërmbrojtësi i Hoffenheimit vendosi të hiqte dorë nga mundësia për të luajtur për Zvicrën, e cila e kishte ftuar disa herë, për ta ndjekur zemrën dhe për t’iu bashkuar vendit të prindërve të tij.
Dhe, në video-prezantimin e tij, Hajdari dha fjalë të mëdha rreth vendimit të tij.
“Unë jam Albian Hajdari, lojtari më i ri i Kosovës. Unë e kam marrë vendimin për Kosovën se Kosova është e vogël për botën, po për mua është krejt bota. Forca Kosova”, theksoi 22-vjeçari, i cili do të jetë në dispozicion të selektorit Franco Foda për përballjet e tetorit, kundër Sllovenisë këtë të premte dhe ndaj Suedisë të hënën që vjen. /Gazeta Express