Në një konferencë për media të mbajtur sot në selinë e BDI-së në Shkup, nënkryetari i kësaj partie, Arbër Ademi, akuzoi qeverinë aktuale se nuk është produkt i një procesi demokratik, por rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë dhe antidemokratike, e ngjizur në vitin 2022 mes liderëve politikë maqedonas, nën dirigjimin e oligarkëve që kontrollojnë politikën dhe ekonominë e vendit.
“Kjo marrëveshje kishte një qëllim të vetëm: defaktorizimin dhe asimilimin politik të shqiptarëve, duke i kthyer nga faktor shtetformues në figurë simbolike brenda institucioneve. Ky projekt i errët synonte të zhbënte fuqinë reale të shqiptarëve në politikën shtetërore, të bënte të pavlefshme votën e tyre dhe të anulonte legjitimitetin e përfaqësimit të tyre,” deklaroi Ademi.
Ai shtoi se pas zgjedhjeve parlamentare, plani u shndërrua në praktikë: “Lideri i VMRO-së zgjodhi të shkelë mbi vullnetin e shqiptarëve, duke futur në qeveri humbësit politikë të kampit shqiptar – ata që nuk morën legjitimitetin nga populli. Ky është një akt i hapur mohimi i demokracisë dhe barazisë.”
Ademi theksoi se qeveria aktuale vepron me politikë majorizuese dhe jo demokratike, duke shkelur frymën dhe shkronjën e Marrëveshjes së Ohrit, dokumentit që garanton demokraci funksionale dhe përfaqësim multietnik. “Çdo devijim nga ky koncept dëmton themelet e shtetit dhe minon stabilitetin ndëretnik,” tha ai.
Ai denoncoi gjithashtu se për 16 muajt e fundit, qeveria ka nxjerrë jashtë vendimmarrjes faktorin politik shqiptar, i margjinalizuar në çdo segment të jetës publike – nga ekonomia te kultura, nga administrata te institucionet qendrore. “Edhe aty ku shqiptarët mbajnë poste, ato janë formale, pa fuqi reale politike. Kjo nuk është përfaqësim – kjo është poshtërim institucional.”
Arbër Ademi tha se shqiptarët nuk do të jenë më spektatorë të fatit të tyre. “Më 19 tetor, shqiptarët do të flasin me gjuhën e dinjitetit politik. Ajo ditë do të jetë referendumi i legjitimitetit kombëtar, dita kur do të shembet projekti i asimilimit dhe do të ringjallet barazia etnike. Shqiptarët janë autoktonë dhe shtetformues. Vota shqiptare është e shenjtë – ajo është burimi i vetëm i legjitimitetit dhe garancia e barazisë, stabilitetit dhe perspektivës së këtij shteti,” tha Ademi.
Ai përfundoi konferencën me mesazhin: “Sot, ne nuk kërkojmë pushtet – kërkojmë drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje – kërkojmë respekt. Nuk kërkojmë favore – kërkojmë barazi. Sepse një shtet që e nënvlerëson votën shqiptare, është një shtet që po e rrezikon të ardhmen.”
tag_katrorimaqedoni_2