Në fushën e qendrës sportive ku kanë nisur përgatitjet, gjithçka duket e qetë.
Trajneri Dragan Stojkoviç gjithsesi është një njeri me probleme dhe nën stres, ndërsa drejton ekipin në terrenin futbollistik në Staroj Pazovi, pranë Beogradit.
Kombëtarja serbe do të ketë të paktën 6 mungesa për ndeshjen vendimtare për pley off-in e Botërorit ndaj Shqipërisë në 11 tetor në Leskovc, ndërsa lista mund të zgjatet.
Stojkovic i dha emrat me një ritëm çuditshmërisht të ngadalshëm gjatë konferencës për shtyp, duke kujtuar se Ilic, Lukic, Nedeljkovic, Milinkovic Savic dhe Katai janë të dëmtuar, ndërsa Milenkovic i pezulluar, ashtu si edhe Lukiç, që gjithashtu u lëndua në Angli.
Në dyshim është njëri nga lojtarët kryesorë, Nemanja Gudelj, i cili erdhi në kombëtare i dëmtuar që në Spanjë.
Për çdo të papritur, trajneri ka thirrur kapitenin e ri të Partizanit të Beogradit, Vanja Dragojeviç.
Nga ana tjetër, katër lojtarë erdhën me vonesë në ekipin përfaqësues, Vlahovic, Kostic, Pavlovic dhe pikërisht Gudelj nisën përgatitjet vetëm këtë të martë.
Ndërkaq, Stojkoviç është nën trysni edhe për shkak të sulmeve që i vijnë nga brenda Serbisë.
Ai nuk harroi t’i sulmonte kritikët pikërisht në konferencën për shtyp.
“Për sa i përket presionit, ju kam thënë që nuk mendoj aspak. Ju takon juve që t’i ndiqni këto gjëra. Kritikë të ndryshëm, analistë të ndryshëm, kanë mundësi ta ndjekin këtë gjë. Ndoshta, ndonjëri prej tyre edhe për tifo për Shqipërinë këtë herë, gjë që do të ishte një çmenduri. Ndoshta, ka edhe të tillë, por duke u kthyer tek vetja ime, unë mendoj vetëm për ta përgatitur ndeshjen sa më mirë, dhe që në Leskovac të dalim në fushë të gatshëm për të luajtur ndeshjen e duhur”.
I mbiquajturi “Piksi” është kritikuar nga analistë të ndryshëm, sidomos nga Rade Bogdanovic, që del në ekranet e televizioneve opozitare, duke u cilësuar si i paaftë dhe i shitur politikisht, shkruan abcnews.
Këto akuza përforcohen nga pjesëmarrja e tij e dukshme në mitingun të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, në maj të këtij viti në Nish, duke u cilësuar si kapital politik kundër opozitës.