Kombëtarja e Kosovës u grumbullua dje për t’u bërë gati për ndeshjet e tetorit, të cilat janë mjaft të rëndësishme dhe që mund të jenë përcaktuese për fatin e Dardanëve në kualifikimet e Botërorit 2026.
Njëjtë si muajin e kaluar, edhe këtë radhë selektori Franco Foda do të përballet me mungesa, shkruan “Gazeta Express”.
Natyrisht, gëzon fakti se janë rikthyer Edon Zhegrova e Milot Rashica, të cilët munguan në shtator, plus prurja e re, Albian Hajdari.
Por, trajneri gjerman do të përballet me shtatë mungesa para dueleve me Slloveninë e Suedinë.
Sot u konfirmua në fakt nga Federata e Futbollit të Kosovës mungesa e shtatë zyrtare, ajo e Florian Haxhës, i cili ka probleme shëndetësore, njëjtë siç ka edhe Lumbardh Dellova, po ashtu mungesë e këtij muaji.
Ndërkaq, menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, dje e konfirmoi mungesën edhe të pesë futbollistëve të tjerë shkaku i lëndimit: kapiteni Amir Rrahmani, Florent Hadërgjonaj, Leart Paqarada, Vesel Demaku dhe Baton Zabërxha.
Kosova do të luajë me Slloveninë në stadiumin “Fadil Vokrri” këtë të premte, kurse të hënën tjetër do ta vizitojë Suedinë, të cilën e mposhti në muajin e kaluar 2:0, pak ditë pas humbjes së thellë nga Zvicra, 0:4. /Gazeta Express