Kandidati për asamblist të Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burhan Pajaziti, ka vizituar sot Lagjen Ramabaja në Ajvali, një zonë e kryeqytetit që prej vitesh përballet me mungesë të investimeve dhe shërbimeve bazë.
Gjatë vizitës së tij, së bashku me aktivistin Beka, Pajaziti u takua me përfaqësues të familjeve të lagjes për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Banorët theksuan mungesën e transportit urban, rrjetin e dobët elektrik, mungesën e qerdheve publike dhe hapësirave rekreative për fëmijë si disa nga problemet më të mëdha që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme.
“Qytetarët e kësaj lagjeje nuk kërkojnë shumë – vetëm trajtim të barabartë dhe investime që ndihen në përditshmëri,” tha Pajaziti, duke shtuar se “edhe kjo është Prishtinë dhe asnjë lagje nuk duhet të ndihet jashtë hartës së kujdesit komunal.”
Ai theksoi përkushtimin e tij për të mos lënë asnjë lagje dhe asnjë qytetar pas dore: “Bashkë me Bekën, askush nuk mbetet mbrapa,” ishte zotimi i kandidatit të AAK-së.