Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një reagim të qartë dhe të ashpër ndaj qeverisë aktuale, bëri thirrje për një mobilizim të menjëhershëm politik.
Sipas tij, çdo ditë me këtë qeveri, qytetarët humbasin një pjesë të arritjeve historike, ndërsa të drejtat dhe dinjiteti i shqiptarëve po kufizohen në mënyrë sistematike.
Osmani theksoi se më 19 tetor duhet të dilet masivisht në votime për të “fituar betejën e dinjitetit kombëtar” dhe për t’i dhënë fund monopolit, nënshtrimit dhe përpjekjeve për të fshirë rrënjët politike e kulturore të shqiptarëve.
“Duhet ta rrëzojmë këtë qeveri, qeverinë më të korruptuar, më anti-evropiane dhe më anti-shqiptare që kemi pasur ndër vite. Dhe këtë duhet ta bëjmë bashkë. Koalicioni shqiptar, që nuk mori mandatin tuaj për t’ju përfaqësuar drejt në qeveri, çdo ditë që kjo qeveri mbetet në pushtet, e paguan me të drejtat tona të mohuara. Prandaj nuk duhet të lejojmë as edhe një ditë më shumë që, me të njëjtët njerëz, të mos e mbyllim këtë kapitull të turpshëm që na ka marrë dinjitetin si popull për shkak të pafuqisë dhe interesave të paskrupullta që na kanë rrëmbyer gjithçka që është e jona”, deklaroi Osmani.
Ai shprehu shqetësim të madh për qëllimet e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke theksuar se synimi i tij nuk është vetëm eliminim partiak, por edhe përpjekje për të fshirë lidhjen me rrënjët dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve.
“Ai e ka deklaruar hapur se qëllimi i tij është ta zhdukë BDI-në nga skena politike. Por ai nuk dëshiron vetëm ta zhdukë si organizatë politike, ai synon të zhdukë nervin e krenarisë sonë, të shkëpusë lidhjen me rrënjët tona, të na heqë vetëdijen se si ka nisur ky proces, ky rrugëtim ynë. Prandaj, për sa kohë që edhe njeriu i fundit kujton se si ka nisur rrugëtimi ynë, ai nuk mund të na rrëzojë”, theksoi Osmani.
Osmani e paraqiti fitoren e 19 tetorit si një detyrim moral dhe identitar jo vetëm si fitore zgjedhore për një komunë, por si qëndresë kundër konceptit të nënshtrimit dhe për rikthimin e pavarësisë politike.
“Më 19 tetor, ne duhet ta fitojmë betejën për dinjitetin tonë kombëtar. Sepse, siç e kam thënë, fitojmë shumë nëse fitojmë një komunë, por ajo fitore duhet të ketë edhe një kuptim më të thellë. Duhet ta fitojmë betejën kundër idesë së poshtërimit tonë, sepse kundërshtari e ka shndërruar këtë proces zgjedhor në një dominim monoetnik”, tha Osmani.
Në fund, Osmani u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të rinovojnë shtetin dhe kredibilitetin ndërkombëtar që ai kishte vetëm një vit më parë.
“Vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ishte në qendër të diplomacisë botërore. Sot jemi shndërruar në një vend që nuk e ka më atë fuqi jemi bërë thuajse ‘të padukshëm’. Kemi dalë nga radari i çdo faktori dhe monitoruesi. Ju ftoj të gjithëve ta rikthejmë atë forcë, ta rikthejmë rolin tonë si popull. Unë kam hyrë në këtë betejë për këtë qëllim”, përfundoi Osmani.
tag_katrorimaqedoni_2