Zbardhet dinamika e vrasjes së gjyqtarit në Tiranë: Si u fut arma në sallën e Gjykatës - Gazeta Express
string(85) "zbardhet-dinamika-e-vrasjes-se-gjyqtarit-ne-tirane-si-u-fut-arma-ne-sallen-e-gjykates"

Shqiperi

Gazeta Express

07/10/2025 10:02

Zbardhet dinamika e vrasjes së gjyqtarit në Tiranë: Si u fut arma në sallën e Gjykatës

Shqiperi

Gazeta Express

07/10/2025 10:02

Policia e Tiranës ka përfunduar hetimet paraprake lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur të hënën, më 6 tetor, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.

Sipas njoftimit zyrtar, autor i krimit është 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili qëlloi për vdekje gjyqtarin menjëherë pas shpalljes së vendimit kundër xhaxhait të tij për konfliktin lidhur me godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen “Skanderbeg”, që ai pretendon se është pronë e tij, dhe në të cilën jetojnë 31 familje që prej vitit 1992. Kurtajt kishin paditur zyrën përmbarimore në Shkodër kundër vendimit për të liruar pronën që Shkambi thotë se është trashëgimtar.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar tre persona: autori i vrasjes Elvis Shkambi, xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi si dhe Banush Koxhaj punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë, që akuzohet për shpërdorim detyre.

Si ndodhi ngjarja

Hetimet kanë zbuluar se në orën 13:42 të së hënës, Elvis dhe Gjon Shkëmbi janë futur në ambientet e Gjykatës dhe kanë kaluar nëpër detektorin e metaleve, i cili sinjalizoi me dritë të kuqe. Megjithatë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, nuk reagoi dhe nuk kreu kontroll fizik apo regjistrim në librin e protokollit.

Rreth orës 15:35, gjatë shpalljes së vendimit në sallën nr. 3, Elvis Shkambi nxori armën nga brezi dhe qëlloi disa herë drejt gjyqtarit Kalaja, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Më pas, autori qëlloi edhe në drejtim të dy personave të tjerë, babe e bir, palë në procesin gjyqësor, duke i plagosur të dy. Ata ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Policisë, Gjon Shkembi nuk ndërhyri për të ndaluar nipin e tij, çka ngre dyshime se ai ishte në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit. Pas krimit, autori i dorëzoi armën një nëpunësi gjyqësor në një sallë tjetër dhe më pas u neutralizua nga policia në oborrin e gjykatës.

Arestimet dhe akuzat

Në përfundim të hetimeve paraprake, u bë arrestimi i tre personave:

Elvis Shkembi 30 vjeç, i akuzuar për “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana cilësuese” në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve”;

Gjon Shkembi, 56 vjeç, për “vrasje të funksionarëve publikë” dhe “bashkëpunim në vrasje në rrethana cilësuese”;

Banush Koxhaj, 63 vjeç, punonjës sigurie, për “shpërdorim detyre”.

Si prova materiale janë sekuestruar arma e krimit dhe tre fishekë, si dhe pamje filmike dhe dëshmi që dokumentojnë ngjarjen.

Ngjarja ka tronditur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe ka ngritur shqetësime mbi mungesën e sigurisë në ambientet gjyqësore. Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse ka pasur neglizhencë sistematike apo bashkëpunim të mundshëm nga persona të tjerë brenda institucionit.