Pamje të reja të jashtëzakonshme të një objekti ndërplanetar që po kalon në sistemin tonë diellor janë shpërndarë së fundmi, duke nxitur teori të reja rreth origjinës së tij.
Megjithëse shumica e shkencëtarëve mendojnë se objekti i mistershëm është një kometë, roveri Perseverance i NASA-s mbi sipërfaqen e Marsit ka dërguar fotografi që tregojnë një formë që duket si një cilindër gjigant.
Amatorë dhe pasionantë të astronomisë në rrjetet sociale kanë ndarë imazhe të përpunuara me ngjyra të objektit, të quajtur 3I/ATLAS, që tregojnë një shkëlqim jeshil ndërsa kalonte pranë Marsit dhe po i afrohej Diellit.
Astrofizikani i Harvardit, Avi Loeb, i cili ka sugjeruar më parë se objekti mund të jetë një anije ose sondë aliene, analizoi fotot e roverit duke llogaritur distancën, shpejtësinë dhe parametrat e kamerës.
Sipas studimit të tij fillestar, Loeb nuk ishte i bindur se 3I/ATLAS është vërtet një objekt cilindrik, duke theksuar se forma e çuditshme mund të jetë një iluzion i shkaktuar nga kamera e roverit që e shtrihej gjatë grumbullimit të qindra imazheve në një periudhë prej 10 minutash.
Ai shtoi se objekti është ndoshta më i vogël dhe më rrumbullakët, por gjithsesi masiv, me një diametër potencial mbi 45 kilometra.
Dr Horace Drew, studiues i pensionuar nga Organizata Kërkimore e Australisë (CSIRO), vuri në dukje se shkëlqimi jeshil i parë mund të jetë rezultat i një sipërfaqeje prej nikeli, duke sugjeruar se objekti mund të jetë një anije ndërplanetare.
“Ky nuk është një kometë,” deklaroi Drew në një postim të tij në X të hënën. Ai gjithashtu kundërshtoi përfundimin e Loeb-it, duke thënë se një astronom amator në Tokë ka kapur një formë të ngjashme me teleskopin e tij.
Loeb shprehet i entuziazmuar për një imazh tjetër të marrë nga kamera HiRISE e Marsit, e cila ka rezolucion më të lartë dhe mund të tregojë 3I/ATLAS më qartë. Ky imazh po dërgohet nga Mars Reconnaissance Orbiter (MRO) dhe ende nuk është publikuar nga NASA.
Ai ka sugjeruar më parë se 3I/ATLAS mund të jetë një anije e dytë e dërguar nga një inteligjencë jashtëtokësore, pas objekti të çuditshëm cilindrik të quajtur ‘Oumuamua’, që kaloi pranë Tokës në vitin 2017.
Pavarësisht imazheve të publikuara, agjencitë hapësinore nuk kanë komentuar ende gjetjet e para nga fluturimi pranë Marsit. NASA njoftoi se është “e mbyllur për shkak të mungesës së fondeve qeveritare.”
Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) ka vëzhguar 3I/ATLAS me Mars Express dhe ExoMars Trace Gas Orbiter, por pritet të duhen ditë ose javë për të përpunuar të dhënat.
Ndërkohë, disa përdorues në rrjetet sociale sugjerojnë se heshtja globale rreth 3I/ATLAS mund të tregojë një fshehje të qeverive mbi atë që dinë rreth këtij objekti.
“Mbyllja e NASA-s është e dyshimtë. Vonesa e ESA-s është e çuditshme. Por heshtja e Kinës, kur kanë arsye të forta gjeopolitike për të publikuar, është shenja se diçka po ndodh pas dyerve të mbyllura,” shkruante një përdorues.
“Gjithë sytë janë mbi 3I/ATLAS – por papritmas, heshtja është dërrmuese,” shtonte një tjetër. /GazetaExpress/