I pari i FSHF-së, Duka: Kam ndjesi të mirë për ndeshjen ndaj Serbisë - Gazeta Express
string(66) "i-pari-i-fshf-se-duka-kam-ndjesi-te-mire-per-ndeshjen-ndaj-serbise"

Futboll

Gazeta Express

06/10/2025 20:16

I pari i FSHF-së, Duka: Kam ndjesi të mirë për ndeshjen ndaj Serbisë

Futboll

Gazeta Express

06/10/2025 20:16

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur sot përgatitjet për ndeshjen e madhe me Serbinë, e cila është një nga më të rëndësishmet në grupin e kuqezinjëve për kualifikimet e Botërorit 2026.

Në prag të ndeshjes që luhet më 11 tetor në Leskovc ka folur edhe kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Ai ka folur për ndeshjen ndaj Serbisë, mundësitë e kombëtares shqiptare në grupin e saj dhe për zhvendosjen e ndeshjes nga Beogradi në Leskovc.

Për ndeshjen ndaj serbëve ai ka thënë se është mjaft e rëndësishme, por duke thënë se qëllimi i tij dhe i lojtarëve është vetëm “sportiv”.

“Nuk ka asnjë ndeshje të ekipit kombëtar që nuk ka emocion maksimal, por kur bëhet fjalë që je në prag të realizimit të një objektivi apo që je në luftë për pikë, gjërat bëhen edhe emocionale. Ndeshja ndaj Serbisë, për arsye që ne na jep një shans për të shkuar në play off, është shumë e rëndësishme. Të gjitha gjërat e tjera, as unë dhe as lojtarët nuk duam t’i kemi në memorie, qëllimi ynë është sportive”, ka thënë Duka për “Top Channel”.

I pari i futbollit shqiptar ka bërë me dije se ndeshja ndaj Serbisë nuk do ta caktojë fatin e trajnerit Sylvinho.

“Nuk është e vërtetë që ne kemi vendosur nëse do të fitojë apo jo në këtë ndeshje Sylvinho do të vendosë fatet e tij. Ajo që ne kemi thënë është që nëse do të kualifikohemi, nuk ka asnjë motiv që të diskutojmë për të cënuar apo ndryshuar stafin. Nëse ne nuk do të kualifikohemi, padyshim që do të ketë diskutime, qoftë nga ne, qoftë nga stafi i tij apo ai vetë. Kështu që nuk është kjo ndeshja që do të vendosë nëse Sylvinho do të jetë apo jo më tej”, shtoi ai.

Duka tha se Shqipërinë edhe barazimi, pos fitores, e mbanë në lojë për një vend në play-off.

“Fitorja do të na bënte më të sigurt për të arritur objektivin e play off-it, ndërsa barazimi na mban në lojë. Por ne hyjmë në fushë për tre pikët dhe jemi të ndërgjegjshëm që janë shumë të vështira për t’u marrë. Askush nuk mund të mendojë se ne jemi favoritë. Unë mendoj që kjo është një ndeshje e hapur dhe ne i kemi mundësitë për të marrë 3 pikë”, tha ai.

Duka thotë se zhvendosja e ndeshjes nga Beogradi në Leskovc nuk ndryshon asgjë për ndeshjen ndaj Serbisë.

“Nuk shoh as avantazh të madh dhe as disavantazh të madh në spostimin e vendit ku do të zhvillohet ndeshja. E rëndësishme është që të jetë një fushë shumë e mirë, ku mund të shprehen lojtarët me kushte të mira dhe kaq”.

Duka për fund thotë se ka ndjesi të mira për ndeshjen ndaj Serbisë.

“Fitorja do të na bënte vërtet që të kemi një hap më të sigurt drejt play off-it të Botërorit, por edhe barazimi na mban në lojë. E vështirë është, por kam ndjesi pozitive pa dashur ta ekzagjeroj. Kam besim te grupi dhe fryma e grupit që ne kemi. Ne nuk kemi kualitete të jashtëzakonshme, por kemi kualitet dhe grup më të mirë se Serbia, kështu që kam vërtet ndjesi të mira”, përfundoi Duka në intervitën për “Top Channel”./GazetaExpress/