Pronari i dyqanit: Naim Murseli erdhi me fëmijët përdore, më tha na kanë plaçkitur, njëri tha "axhi, bam" - Gazeta Express
string(99) "pronari-i-dyqanit-naim-murseli-erdhi-me-femijet-perdore-me-tha-na-kane-plackitur-njeri-tha-axhi-bam"

Lajme

Gazeta Express

06/10/2025 17:06

Pronari i dyqanit: Naim Murseli erdhi me fëmijët përdore, më tha na kanë plaçkitur, njëri tha “axhi, bam”

Lajme

Gazeta Express

06/10/2025 17:06

Dëshmitari Naim Sadiku i cili ka qenë pronar i dyqanit ku kishte shkuar Naim Murseli pas ngjarjes kritike, tha se i akuzuari i kishte thënë që e kanë plaçkitur dhe se bashkëshortja e tij kishte mbetur në veturë.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Sadiku tha se të akuzuarit Murseli i kishte thënë se nuk mund të shkojë në vendin e ngjarjes ngase nuk është kompetencë e tij dhe nuk guxon.

Ai pohoi se në Polici kishte thënë se personi Besart Pestisha kishte vazhduar në drejtim të vendit të ngjarjes, por meqenëse ai person e kishte shtëpinë në atë rrugë, nuk e di nëse ka shkuar në vendngjarje.

“I njëjti për 2-3 minuta është kthyer përsëri te lokali, i njëjti ishte i shqetësuar, kur tha se e kish parë një grua në veturë…”, kishte deklaruar Sadiku në Polici.

Sipas dëshmitarit, pasi kishte ardhë Policia, fëmijët e Murselit kishin qëndruar me të, ndërkaq i akuzuari kishte vazhduar me njësinë e policisë. Lënien e fëmijëve aty, tha se ia kishte kërkuar një zyrtar policor.

Por, Sadiku mohoi t’ia ketë kërkuar Murseli që t’i lë fëmijët në dyqan dhe të shkojë tek vetura.

Gjithashtu, Sadiku deklaroi se Murseli kishte shkuar tek dyqani i tij dhe i kishte thënë se i kanë plaçkitur.

“Në ato momente jam kanë në market, e kam dëgju një zë duke qajt, e kam pa që e ka pas një fëmijë përdore. Në fakt, (Murseli) ka qenë me dy fëmijë dhe ka thënë se a mundesh me i thirrë policinë se na kanë plaçkitë. Në ato momente ka hy në market, e mora telefonin i thash qe merre telefonin, thirri Policinë. Më tha nuk muj me i thirrë se jam i shqetësum, i kam thirrë unë policinë”, tha Sadiku.

Dëshmitari i kishte treguar policisë se një person kishte hyrë në dyqanin e tij dhe i kishte thënë se e kanë plaçkitur në rrugën “Dalip Alshiqi”. Tha se kishin kërkuar që të bisedojnë direkt me Murselin, por që ky i fundit s’ka pranuar me arsyetimin se ishte i shqetësuar.

Pasi e kishte telefonuar policinë, ai tha se Murselit i ishte drejtuar duke i thënë “me rëndësi fëmijët kanë shpëtu”, e që aty i akuzuari i kishte treguar se i ka mbetur bashkëshortja në veturë.

“Më ka thanë jo ka mbet gruaja në kerr, tani i kam thirrë prapë policinë dhe ju kam tregu çka po më thotë Naimi, se ky nuk ka pranu me folë me policinë dhe policia më tha se jemi duke ardhur në atë drejtim”, deklaroi Sadiku.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Murselit nëse i është dukur që s’ka dashur të bisedojë me policinë apo që ka qenë i stresuar, dëshmitari tha se i është dukur shumë i shqetësuar.

“Kur ka dalë ky Naimi me telefon tem që ma ka marrrë me folë me dikë, nuk e di se me kë ka folë, fëmijët kanë qenë në shitore me mu dhe kanë folë me një gjuhë mes vete që unë nuk e kam ditë çfarë gjuhe po flasin dhe kur folshin mes vete qajshin, por ju kam dhënë ujë. Ai i madhi më ka thanë ‘axhi, nuk po muj me nejt në kamë’. Ia kam qit një paletë dhe ai u ul aty dhe atë të voglin e kam ulur në karrigen time ku shes”, tha Sadiku.

I pyetur nëse fëmijët kanë thënë se nëna e tyre është vrarë, dëshmitari tha se me sa i kujtohet njëri fëmijë i kishte thënë diçka.

“Njëri (fëmijë) më duket ka thanë, më duke i madhi nëse nuk gaboj tha “axhi bam”, por unë nuk dashta me hy në atë muhabet se nuk e disha çka ka ndodh”, tha tutje Sadiku.

Dëshmitari theksoi se nuk i kujtohet nëse dëmijët kanë thënë që babai i tyre e kishte mbajtur nënën apo diçka të ngjashme. Tha se nuk ka vërejtur nëse fëmijët kishin frikë nga i akuzuari Murseli por që kishin qëndruar me të.