Policia e Shtetit në Shqipëri ka dhënë detajet e para mbi vrasjen që ndodhi pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë ku Elvis Shkëmbi e vrau gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit.
“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, thuhet tutje në njoftim.
Policia thotë se shërbimet e saj, me marrjen e njoftimit “kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”.
“Grupi hetimor vijon veprimet nën drejtimin e Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen”, thuhet në njoftim.