Fitorja e Babishit në Çeki mund t’i shkaktojë kokëdhembje BE'së - Gazeta Express
string(61) "fitorja-e-babishit-ne-ceki-mund-ti-shkaktoje-kokedhembje-bese"

Lajme

Gazeta Express

06/10/2025 10:38

Fitorja e Babishit në Çeki mund t’i shkaktojë kokëdhembje BE’së

Lajme

Gazeta Express

06/10/2025 10:38

Fitorja në zgjedhje këtë fundjavë e populistit të djathtë, Andrej Babish, rrezikon ta kthejë Republikën Çeke në një tjetër problem për Brukselin, pasi ai zhvilloi fushatën me premtimet për të zvogëluar ndihmën për Ukrainën dhe për t’iu kundërvënë politikave të Bashkimit Evropian për çështjet e migracionit dhe mjedisit.

Babish, ish-kryeministër dhe miliarder, i quajtur shpesh nga mediat “Donald Trumpi çek”, fitoi bindshëm me partinë e tij ANO, e cila mori 35 për qind të votave.

Pas fitores, Babish tha se do të përpiqet të formojë një qeveri të pakicës, por se do të zhvillojë bisedime edhe me dy parti të vogla – përfshirë partinë e ekstremit të djathtë, SPD – që mund t’i sigurojnë shumicën në Parlament.

Në Bruksel nuk ka ende panik, pasi disa zyrtarë vlerësojnë se Babish “nuk është as Robert Fico, as Viktor Orban”.

Kjo është një referencë për udhëheqësit e Sllovakisë dhe Hungarisë, të cilët, viteve të fundit, i kanë shkaktuar shumë probleme BE-së, duke zbutur ose bllokuar sanksionet ndaj Rusisë, duke pezulluar ndihmën ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, si dhe negociatat për anëtarësimin e saj në BE, ndërkohë që kanë minuar edhe sundimin e ligjit brenda vendeve të tyre.

Orban ishte lideri i parë në Evropë që e uroi Babishin, i cili shërbeu si kryeministër i Çekisë nga dhjetori i vitit 2017 deri në dhjetor, 2021.

Filip Nerad, i cili ndjek marrëdhëniet midis Çekisë dhe BE-së për Institutin Globsec, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Babishit do të jetë më kritike ndaj nismave të mëdha të BE-së, si “Marrëveshja e Gjelbër”, e cila synon ta bëjë bllokun neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.

Ai shton se Babish kundërshton edhe paktin e migracionit, i cili hyn në fuqi vitin e ardhshëm dhe synon të krijojë një sistem të përbashkët azili në nivel të BE-së.

Megjithatë, ai nuk pritet të pajtohet plotësisht me qëndrimet e Hungarisë dhe Sllovakisë – gjë që lë vend për pak optimizëm se Brukseli mund të bashkëpunojë me Pragën në disa çështje.

“Në përgjithësi, Republika Çeke do të jetë më pak në linjën kryesore të politikave të Brukselit dhe do të bashkëpunojë më ngushtë me Hungarinë dhe Sllovakinë, por nuk pritet që Praga të ndjekë Budapestin dhe Bratisllavën në çdo hap”, thotë Nerad.

Sipas zyrtarëve evropianë dhe çekë, bindja se Babish është ndryshe nga dy homologët e tij të grupit të Vishegradit, bazohet në tri vëzhgime.

Së pari, në mënyrën se si ai i fitoi zgjedhjet.

Ndërsa partia e tij ANO doli qartazi në vend të parë, tri partitë e tjera populiste – SPD-ja, Motoristët dhe Mjaft – morën rezultate më të dobëta sesa pritej.

Partia Mjaft nuk arriti pragun prej 5% për të hyrë në Parlament, duke i hequr kështu Babishit një partner të mundshëm koalicioni.

Edhe pse Babish, i lindur në Sllovaki, mund të synojë të formojë një qeveri të pakicës vetëm me ministra nga ANO-ja dhe me mbështetje politike nga Motoristët dhe SPD-ja, analistët vlerësojnë se negociatat mes këtyre partive do të jenë të vështira.

Për pasojë, Qeveria e tij mund të dalë e brishtë dhe e paqëndrueshme dhe, në fund, ai mund të detyrohet të kërkojë bashkëpunim me partitë më tradicionale që ishin pjesë e Qeverisë në largim.

Së dyti, Babish, edhe pse gjatë fushatës përdori shpesh retorikë kundër BE-së, mund të detyrohet të lëvizë drejt qendrës, për të bashkëpunuar me presidentin properëndimor të vendit, Petr Pavel, i cili është shumë i popullarizuar te çekët dhe pritet të shërbejë si kundërpeshë ndaj tij.

Pavel nuk ka shumë kompetenca ekzekutive, por një prej atyre që ka është miratimi i ministrave të kabinetit. Ai tashmë ka deklaruar se nuk do të pranojë “kandidatë anti-sistem”, nëse duhet të japë miratimin për Qeverinë e Babishit.

Vlen të përmendet, gjithashtu, se disa figura të larta të partisë ANO, si Karel Havlicek dhe Adam Vojtech, konsiderohen më të moderuara dhe kanë pasur reputacion të mirë në Bruksel gjatë periudhave të tyre si ministra të mëparshëm.

Së treti, është vetë Babish. Edhe pse viteve të fundit e ka ashpërsuar kritikën ndaj BE-së dhe bën pjesë në grupin politik evropian që kundërshton drejtimin aktual të politikave të BE-së, ai ka arsye praktike për të mbetur i orientuar drejt Perëndimit.

Interesat e tij të biznesit në bujqësi dhe media janë të lidhura ngushtë me Austrinë dhe Gjermaninë dhe varen nga fondet e mëdha të BE-së.

Ai ka bërë gjithashtu përpjekje t’i forcojë marrëdhëniet politike me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe me Francën. Për më tepër, ai është zotuar se do të respektojë angazhimin e Republikës Çeke ndaj NATO-s.

“Ne duam ta shpëtojmë Evropën… dhe jemi qartë proevropianë dhe pro NATO-s”, u tha Babish gazetarëve pas fitores në zgjedhje.

Pavel Havlicek, i cili ndjek marrëdhëniet Çeki-BE për Institutin AMO, thotë se “Brukseli ka gjasa ta shikojë votën në Çeki me skepticizëm dhe shqetësim”.

Por, ai shton se “do të jetë e rëndësishme që Brukseli të mbetet objektiv dhe ta gjykojë Babishin sipas veprimeve, jo domosdoshmërisht sipas retorikës së tij”.

Një zyrtar i BE-së, që foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se fitorja e Babishit ka gjasa ta heqë Republikën Çeke nga roli udhëheqës që ajo ka pasur në disa iniciativa brenda bllokut.

Çekët, konkretisht, kanë udhëhequr një “nismë për municionin”, e cila ka qenë vendimtare për dërgimin e miliona fishekëve në Ukrainë – vendin që po lufton për t’i zmbrapsur forcat pushtuese ruse.

Babish ka qenë kritik i fortë i kësaj nisme. Megjithatë, ai e ka lënë të hapur mundësinë që ajo të vazhdojë nën ombrellën e NATO-s.

Për pasojë, është pothuajse e sigurt se ushtarët çekë nuk do të përfshihen në ndonjë mision të ardhshëm paqeruajtës në Ukrainë, ndërsa dërgesat e armëve për Kievin mund të mos jenë më aq të shpejta e të lehta sikurse më parë.

Ka, gjithashtu, edhe projekte të tjera që janë udhëhequr nga çekët dhe që mund të shuhen gradualisht.

Për më shumë se një vit, Praga ka ushtruar presion mbi Brukselin që të kufizojë lëvizjen e diplomatëve rusë në vendet e BE-së dhe të vendosë sanksione në nivel evropian ndaj regjimit aktual në Gjeorgji, për shkak të ngecjes në reformat demokratike dhe afrimit të tij me Moskën.

Praga ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në krijimin e një kornize të re sanksionesh ndaj veprimeve hibride ruse në botë, si dhe në nxitjen e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE. /REL/