Nëse ecni në rrugën Heronjtë Ukrainas dhe merrni kthesën në të djathtë për te Sheshi Boris Nemtsov, do të mbërrini për pak para hyrjes së Ambasadës së Rusisë në Pragë.
Prej vitit 2020 Praga ka nisur t’ua ndryshojë emrat monumenteve rreth Ambasadës së Rusisë, çka i ka rritur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit.
Ky mund të ketë qenë vetëm njëri prej vendimeve që ka kontribuuar në përplasjet diplomatike mes dy vendeve, meqë Çekia ka bërë të ditur së fundmi se ua ka ndaluar diplomatëve të paakredituar rusë hyrjen në territorin e saj.
Zona e parë të cilës i është ndryshuar emri afër Ambasadës ruse në Pragë ka qenë një park i vogël në formë trekëndëshi i cili njihej si Sheshi Nën Gështenja.
Më 27 shkurt 2020, sheshit i është vënë emri i Boris Nemtsovit, datë në të cilën është shënuar 5-vjetori i vrasjes së këtij lideri opozitar rus.
Po të njëjtën ditë, një zonë e frekuentuar shpesh nga vrapuesit e mëngjesit, shumë afër ambasadës, e ka marrë emrin e gazetares së vrarë ruse, Anna Politkovskaya.
Prej nisjes së luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë, më 2022, ambasada është e rrethuar me pllakate me emra që për të janë armiqësorë, dhe me instalacione të ndryshme në formë proteste.
Një urë në hyrje të konsullatës e ka marrë emrin e Vitaliy Skakunit, ushtarit ukrainas që e ka sakrifikuar veten për të shkatërruar një urë me rëndësi gjatë luftës, ndërsa një segment i shkurtër rruge tani njihet me emrin Heronjtë Ukrainas.
Zona që ofron një pamje mbi parkun piktoresk Stromovka në Pragë, prej shkurtit të vitit 2021 njihet si pika vrojtuese Aleksei Navalny.
Në fillim, autoritetet lokale e patën larguar mbishkrimin, duke thënë se emrat e rrugëve në Pragë i nderojnë vetëm personat që kanë vdekur.
Pas vdekjes së Navalnyt në rrethana të dyshimta në një burg në Rusi në shkurt të vitit 2024, autoritetet e Pragës kanë aplikuar që emri i pikës të zyrtarizohet.
Një skulpturë e realizuar nga Jan Slovencik në formë proteste jashtë Ambasadës ruse në Pragë. Vepra është instaluar në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës më 24 gusht 2022.
Në Moskë, Ambasada e Çekisë është shënjestruar nga protestat dhe vandalizmi, dhe policia ruse, që e ruan objektin, ka qenë e butë në përgjigjen e saj ndaj sulmeve.
Megjithatë, më 30 shtator 2025, janë ngritur pyetje për përgjigjen policore ndaj një sulmi të konsiderueshëm në Ambasadën çeke në Moskë, pas vendosjes së disa fotografive vulgare dhe disa mbishkrimeve në gjuhen çeke që janë spërkatur në disa pjesë të objektit.
Ministri i Jashtëm cek, Jan Lipavsky e ka quajtur sulmin “të papranueshëm” dhe ka thënë më 29 shtator se “çdo shtet duhet të garantojë mbrojtje të diplomatëve dhe të zyrave përfaqësuese”.
Një ditë më vonë, Lipavsky ka bërë të ditur se me propozimin e tij, Qeveria ka vendosur t’ua ndalojë hyrjen në Çeki të gjithë diplomatëve rusë dhe rusëve tjerë që nuk kanë akreditim valid.
Si arsye për marrjen e këtij vendimi, ai ka përmendur “operacione sabotimi”, pa dhënë më shumë hollësi.
Zona e Pragës ku gjendet Ambasada ruse.
Më 2 tetor, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u ka thënë gazetarëve se Kremlini është në dijeni për njoftimin e Lipavskyt, por që ende nuk e ka pranuar një njoftim zyrtar nga pala çeke.
“Ata nuk kanë ndarë asnjë hollësi për këtë veprim armiqësor, prandaj edhe nuk i posedojmë ato”, ka thënë mes tjerash Zakharova. /REL/