Barcelona pësoi humbjen e dytë radhazi të dielën, pasi u mposht me rezultatin e thellë 4-1 nga Sevilla. Një fitore do t’i kishte kthyer katalanasit në krye të La Ligës, por kjo nuk ndodhi.
Sipas Diario AS, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, reagoi pas ndeshjes dhe pranoi se lojtarët e tij ishin shumë të dëshpëruar pas paraqitjes zhgënjyese në “Ramon Sanchez-Pizjuan”.
“Ata hynë në ndeshje shumë agresivë në pjesën e parë dhe ne nuk gjetëm mënyrën për t’u përballur. Mendoj se në pjesën e dytë reaguam. Duhet të fokusohemi në atë që bëmë gabim dhe të luftojmë që kjo të mos ndodhë më.
Jemi ekip, lojtarët e dëmtuar do të kthehen, dhe unë vlerësoj reagimin e pjesës së dytë. Nuk jemi të lumtur sepse është e vështirë të humbasësh, por dua ta shoh në këtë mënyrë. Në dhomën e zhveshjes kam parë lojtarë që duan të reagojnë, i kam parë të zemëruar dhe kjo më pëlqen. Tani vjen pushimi ndërkombëtar, do të kthehemi dhe do të shohim nëse mund të reagojmë.”
Flick u pyet nëse kjo humbje mund të konsiderohet më e rënda që nga momenti kur mori drejtimin e Barcelonës në verën e vitit 2024.
“Më e vështira ishte padyshim ajo gjysmëfinale në Milano (kundër Interit). Duhet ta pranoj këtë humbje dhe ta shoh nga ana pozitive. Duhet të ndryshojmë gjërat që nuk po i bëjmë mirë, veçanërisht gabimet e pjesës së parë. Nuk patëm kontroll në disa zona të fushës. Por kjo nuk është humbja më e vështirë.”
Gjermani gjithashtu pranoi se pushimi ndërkombëtar vjen në një moment shumë të mirë për skuadrën e tij.
“Është mirë që vjen tani, që lojtarët të shkojnë me kombëtaret, të kenë një atmosferë tjetër. Kjo do të jetë gjëja pozitive. Dhe ajo që u kam thënë është se kur të kthehen, do të punojmë fort për ta rikthyer nivelin tonë. Por na duhen edhe lojtarët në 100%.”/GazetaExpress/