Mason Mount shënoi në fitoren e Manchester United ndaj Sunderlandit dhe dha një mesazh të fortë për Ruben Amorim, duke treguar mbështetjen e tij për trajnerin.
26-vjeçari u preferua para Matheus Cunha-s si numri 10 në krahun e majtë për ndeshjen ndaj Sunderlandit në “Old Trafford”, të shtunën më 4 tetor.
Mount i dha të drejtë vendimit të Amorimit, duke hapur serinë e golave që në minutën e 8-të, para se Benjamin Sesko të siguronte tri pikët me golin e tij të dytë në po aq ndeshje.
Duke folur pas ndeshjes, mesfushori ofensiv këmbënguli se skuadra është pas trajnerit, pavarësisht fillimit zhgënjyes të sezonit.
Ai tha: “Jemi 100% pas trajnerit. Kemi pasur disa rezultate të vështira që na kanë lënduar, kanë qenë të dhimbshme për ekipin, stafin dhe tifozët, por sot ishte e rëndësishme të fitonim.”
Mount shpreson që fitorja ndaj Sunderlandit të jetë fillimi i një serie fitoreve, duke shtuar: “Duhet të jetë – menduam pas Chelseat se do të ishte fillimi i diçkaje, por më pas shkuam te Brentford dhe patëm një rezultat zhgënjyes.
“Fillon sot, dhe do të punojmë fort gjatë pushimit. Duam të bëjmë dy fitore radhazi, pastaj tre, dhe të shtyjmë për zonën e katërshes së parë.”