Erion Veliaj vijon betejën e tij në Gjykatën Kushtetuese, duke refuzuar shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës. Megjithatë, kjo nuk i ndali presidentin Bajram Begaj që të dekretonte zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet, ndërsa kryeministri Edi Rama nisi fushatën në mbështetje të kandidates së PS, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu gjithashtu hapi sezonin e pestë të podkastit ‘Flasim’, një produksion i kryeministrit Rama, i cili u rikthye në transmetim sot.
“Ti do të jesh kryetarja e re e Bashkisë së Tiranës”, e nisi kryeministri prezantimin e saj.
Në një deklaratë të fortë, Rama theksoi se Tirana nuk mund të presë më për një kryetar bashkie, duke iu referuar situatës së krijuar pas arrestimit të Veliajt dhe qëndrimit të tij në paraburgim për 8 muaj, një proces që Rama e cilësoi me “standarde të dyshimta”.
“Tirana mbeti pa kryetar bashkie si pasojë e një zhvillimi brutal të lidhur me drejtësinë. Kryetari i bashkisë u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim ku vazhdon të mbahet ende prej 8 muajsh, përmes një procesi me standarde të dyshimta. Por ndërkohë Tirana nuk mund të presë më. Kush thotë të kundërtën thjesht nuk e ka idenë se cfarë duhet që kjo lokomotive e Shqipërisë të ecë me ritmin e duhur.
Ndërsa ata që diskutojnë legjitimitetin e dekretit të presidentit për zgjedhje, nuk kanë faj, se nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale dhe as dijen mbi kushtetutën të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të presidentit dhe ministrit të Drejtësisë të PD, i cili për hir të integritetit të tij dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin”, tha Rama.