Nuk ishte sekret që Barcelona duhej të largonte disa lojtarë gjatë afatit kalimtar të verës, për shkak të problemeve të njohura financiare. Megjithatë, katalunasit nuk kishin nevojë të bënin një shitje të madhe, pasi largimi i vetëm i rëndësishëm ishte ai i Inigo Martinez drejt Al-Nassr.
Kjo nuk e ndali interesimin e klubeve tjera për lojtarët e Hansi Flick. Fermin Lopez ishte i dëshiruar nga Chelsea, ndërsa Marc Casado gjithashtu u lidh me një transferim në Premier League – dhe siç duket, edhe një tjetër yll i Barcelonës mund të kishte përfunduar në Angli.
Sipas “Sport”, Ronald Araujo tërhoqi shumë interes gjatë afatit kalimtar të verës, me klube si Liverpool, Chelsea, Tottenham Hotspur dhe Juventus që bënë lëvizje për ta transferuar atë.
Araujo kishte menduar të largohej nga Barcelona në janar, por në fund nënshkroi një kontratë afatgjatë të re. Dëshira e tij është të bëhet një sukses i madh në kryeqytetin katalunas, prandaj ai ua bëri të qartë Liverpoolit, Chelseat, Spurs dhe Juventusit se nuk kishte asnjë qëllim t’u bashkohej.
Araujo mund t’i ketë refuzuar të gjitha ofertat këtë verë, por të paktën një klub nuk është dorëzuar ende. Liverpool e sheh mbrojtësin uruguaian si zëvendësues ideal për Ibrahima Konate, i cili lidhet me Real Madridin, kështu që ekziston mundësia që ata të rikthehen në vitin 2026 nëse ai nuk rinovon kontratën.
Araujo pati disa javë të vështira në fillim të sezonit, por së fundmi e ka rritur nivelin e paraqitjeve. Ai nuk është titullar i garantuar te Flick, gjë që u pa edhe kur mbeti në bankinë përballë PSG-së në mesjavë, por në të njëjtën kohë, trajneri gjerman e vlerëson jashtëzakonisht shumë dhe është ndër ata që dëshirojnë ta mbajnë në klub për vite të tëra.