Përurohet rruga Gorozhup-Pogaj, projekt i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë - Gazeta Express
string(99) "perurohet-rruga-gorozhup-pogaj-projekt-i-marreveshjes-se-nenshkruar-ndermjet-kosoves-dhe-shqiperise"

Lajme

Gazeta Express

04/10/2025 13:59

Përurohet rruga Gorozhup-Pogaj, projekt i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Lajme

Gazeta Express

04/10/2025 13:59

Është përuruar sot rruga ndërkufitare Gorozhup (Has të Prizrenit)-Pogaj, projekt ky në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, prefektin e Qarkut Kukës, Dritan Baji, kryetarin e Bashkisë Has, Miftar Dauti, deputetë të dy kuvendeve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, Kurti aty tha se përurimi i kësaj rruge është tejet i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, por edhe për turizmin malor e kulturor, “të dy republikave tona të të njëjtit komb, si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, për shkëmbimet të cilat do të jenë gjithnjë e më të mëdha”.

“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra. Rruga e përuruar sot i lidhë fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Kryeministri theksoi se lidhja jonë me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur”, tha ai.

Durmishi tha se para dy vitesh është nënshkruar protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë, rrugën Kërstec-Pakishtë-Zapot dhe rrugën Dobrunë-Blinishtë, e cila ka qenë pjesë e kësaj marrëveshje.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës është “e interesuar që të vazhdojë bashkëpunimin me Republikën e Shqipërisë edhe për shumë projekte të tjera, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë zonë”.

Me këtë rast, ai përmendi se një prej projekteve “më të rëndësishme” është vazhdimi i kësaj rruge prej Pogaj në Kishaj, pastaj Kishaj-Cahan dhe nga Cahani në Krumë.

Ai foli edhe për projekte të tjera, për të cilat tha se do t’i bëjnë bashkë dy qeveritë, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë.

Ndërkaq, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, tha se në këtë ditë solemne duke inauguruar këtë rrugë, “ne hapim një kapitull të ri në dobi të kombit tonë. Ai theksoi se rruga Gorozhup-Pogaj është më shumë sesa asfalt apo gurë, është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi, dhe se ky investim është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar në shekuj”.

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, tha se sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane.

Ai tha se “bashkërisht duhet të kontribuojmë që të bashkojmë çdo arterie që bashkohet Hasi me Hasin dhe Kosova me Shqipërinë, sepse vetëm në këtë mënyrën hiqen barrierat e vëna vite më parë”.