Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, për kryetar të komunës së Shtimes, Qemaj Aliun, me 2 mijë euro gjobë. Ky dënim ndaj Aliut, është bërë për shkak të shfrytëzimit të burimeve dhe institucioneve publike shtetërore për qëllime elektorale për fushatën personale për zgjedhjet e 12 tetorit.
Në njoftim e PZAP–së theksohet se Aliu e ka shfrytëzuar faqen zyrtare të kësaj komune në Facebook, për të publikuar postim lidhur me garën zgjedhore, shkruan Gazeta Express.
Aty theksohet edhe se në postimin në fjalë janë shpërndarë foto dhe slogani i kandidatit për kryetar të Shtimes.
Në vendimin e PZAP-së, VV-ja urdhërohet që të gjobën prej 2 mijë eurosh ta paguaj në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
Po ashtu, në vendim, kjo parti urdhërohet edhe që nga momenti i marrjes së vendimit, të largohet postimi i publikuar në faqen e komunës.
Ndryshe, ankesën rreth këtij rasti, e ka bërë Partia Demokratike e Kosovës. /GazetaExpress